na ndiq ne

Volvos XC60 nuk i kalon koha

27/12/2017

Volvo XC60 është një SUV mesatar ndër më cilësorët dhe interesantët në treg. Kjo për dy arsye shumë të thjeshta: së pari sepse Volvo është e mirënjohur për cilësinë e realizimit të makinave të saj dhe së dyti, sepse XC60, rezultoi sërish makina më e sigurt në “crash test”-in e organizuar nga Euro NCAP, një fakt shumë i ndjeshëm ky për të gjithë familjarët e vëmendshëm ndaj sigurisë.

Sa më lart janë të vërteta edhe për modelin paraardhës XC60, të prodhuar në 2016, aktualisht të propozuara me një ofertë vërtet joshëse nga Volvo Car Albania.

Që në lançimin e modelit, XC60 u shpall makina me cilësinë më të mirë të ajrit në bord. Është e këshillueshme për këdo natyrisht, por sidomos për personat që mund të kenë probleme alergjie dhe astme. Instituti Suedez për Astmën dhe Alergjitë, klasifikoi në “top 10” të kësaj renditjeje edhe katër modele të tjera nga Volvo.

Modeli në ofertë, Volvo XC60 D4 Automatic AWD Inscription, mbetet një model mjaft atraktiv për të gjithë. Kuriozitet mund të jetë që XC60 është best seller-i i Volvo-s dhe modeli në fjalë i shkel syrin të gjithë atyre që mund të jenë duke menduar të blejnë një makinë të re. Fakti që është i pajisur me një listë të gjatë aksesorësh dhe opsionesh mund vetëm të ndihmojë në këtë drejtim.

Nga jashtë XC60 ka një look kontemporan me linjë sportive dhe serioze në të njëjtën kohë. Maskerino klasik i Volvos vjen këtu më i ngushtë dhe më sipas modës, tipar ky që theksohet sidomos në profil, ku XC60 tregon muskujt, sidomos në parafangon e pasme. Nga mbrapa, fenerët e zhvilluar vertikalisht i japin një look ende modern.

Nëse nga jashtë vlerësimi mbetet subjektiv, nga brenda mund të themi se hapërisa, funksionaliteti dhe ergonomia janë kryefjalët e prodhuesit suedez, i cili din të ofrojë si pak të tjerë një design racional por të realizuar me materiale dhe cilësi premium.

Timoni dhe leva e marshit është i veshur me lëkurë dhe insertet e drurit në “modern Wood” janë vërtet të goditura. Në qendër të kruskotit gjejmë monitorin e navigatorit që mbulon edhe funksionet e tjera të infotainment, më një fjalë të vetme Sensus.

Hapësira në këtë XC60 është më se e bollshme për të gjithë pasagjerët, përfshirë edhe bagazhin, i cili garanton që pasagjerët mund të udhëtojnë të qetë në kabinë sepse çdo çantë apo valixhe depozitohet mbrapa.

Sediljet, një nga pikat e forta të Volvo-s, janë edhe këtu më se komode dhe të sigurta, pasi ofrojnë një sensacion “mbështjelljeje” pa cënuar rehatinë, sidomos në ecje.

Motori D4 me 190kf mbetet një tjetër pikë e fortë. Fuqia është më se e mjaftueshme për të lëvizur lirshëm me një SUV jo të vogël dhe madje edhe për pak “piper” në guidë, por më shumë se fuqia, ky motor shkëlqen për sa i përket momentit përdredhës: 400Nm garantojnë një gatshmëri në përgjigjen ndaj pedalit që e kanë zili shumë motorë të tjerë më të fuqishëm.    

Në fund, por që në fakt vjen e para, nëse keni dyshime  në vlerësimet e rezultateve të “crash test” organizuar nga Euro NCAP, mjafton t’i hidhni një sy listës së gjatë të opsioneve të sigurisë dhe sigurohuni që të kuptoni funksionin e tyre.