Dacia Duster 1.5 dCi 110 CV
Dacia është një markë rumune, në pronësi të markës franceze Renault. E njohur nga shumë prej nesh edhe si “low cost”, ka qenë një gjetje shumë efikase për të “sulmuar” tregjet europiane në segmentet e lira por dhe për t’u propozuar në mbarë tregjet botërore. Suksesi ka qenë i madh dhe duket se pozicionimi i Dacia-s ishte i saktë kur mendoi se një pjesë (e mirë) e klientelës botërore kërkonin nga makina prakticitet dhe ekonomi.
Një nga modelet më të suksesshëm ka qenë padyshim modeli Duster, shpesh etiketuar si një SUV low cost, etiketim që duket se Dacia fillon ta refuzojë me rritjen e cilësisë dhe një përmirësimi të dukshëm në design.
Përmasat janë të njëjta me modelin paraardhës, Duster është e gjatë 434cm, por stili i ri e bën atë më bashkëkohore.
Edhe nga brenda duket se projektuesit e Duster-it të ri janë orientuar më shumë drejt cilësisë kësaj rradhe, natyrisht duke iu përmbajtur limiteve të buxhetit të kufizuar.
Timoni është “multifunksional” duke integruar komanda të ndryshme për radion dhe celularin gjithashtu. Infotainment bazohet në një monitor me prekje në qendër të kruskotit.
Hapësira duket e mjaftueshme në bord dhe bagazhi jo i vogël.Kapaciteti i tij është 467 ose 478 litra në varësi të versionit me dy ose katër rrota aktive.
Komandimi i timonit është elektrik dhe është i lehtë në manovrat nga nisja ose në shpejtësi të ulëta por fillon të ngurtësohet me rritjen e shpejtësisë, duke fituar kështu stabilitet.
Motori 1.5DCI me origjinë Renault është më se i kolauduar dhe përveç konsumit të ulët ofron një fuqi të përshtatshme për “trupin” e Duster-it.
Modeli i kaluar ka qenë rezultativ edhe në testet e ndryshme në kushte terreni jashtë asfaltit. Lartësia nga toka është 21cm dhe mbi këto baza, modeli akual pritet të përmirësojë performancën edhe më shumë. Duster është e pajisur me Hill Descent Control, një sistem efikas sidomos në zbritje të terreneve të vështira, që kontrollon frenat dhe shpejtësinë e makinës. Një ndihmë të rëndësishme në terrene malore e jep edhe monitori qendror i cili informon mbi këndet e e batimit të karrocerisë.
Çmimet zyrtare për modelin e ri duhet ende të bëhen publike, por pritet të jenë të ngjshme me modelin paraardhës, i cili fillonte në vlerën 12.000eur (afërsisht).