na ndiq ne

Corvette ZR1

25/11/2017

Corvette është një makinë sportive jo shumë popullore në Europë, por kjo është kryesisht sepse është një makinë amerikane e destinuar kryesisht tregut Amerikan. Prodhuar nga Chevrolet, për vitin 2018 vjen me një version special: Corvette ZR1, e cila mund të jetë makina më e fuqishme e prodhuar nga marka amerikane, pjesë e grupit General Motors.


Si në çdo makinë sportive, vëmendja kryesore është tek motori i cili bazohet në vëllimin tradicional 6.200 kubikë, V8 që zhvillon 765 Kf. Dy valvola për cilindër, një kompresor i gjeneratës së re, së bashku me sistemin e ri të GM me dopio injeksion direkt, i cili shfrytëzon injektorë shtesë për të rritur performancën, janë disa nga veçoritë e motorit të ri.
Corvette ZR1 shtyhet (tërheqja në aksin e pasëm është traditë për Corvette) nga 765 kuaj fuqi dhe ka një moment rrotullues 969Nm, vlerë vërtet e lartë.


Kambio është manuale, siç i ka hije një sportiveje të vërtetë, por mund edhe të porositet me kambio automatike me tetë marsha (për herë të parë në një Corvette). ZR1, sipas prodhuesit mund të tejkalojë shpejtësinë 340km/h.
Nga ana e design-it teknikët e General Motors kanë punuar me vëmendje maksimale ndaj aerodinamikës. Parakolpi i përparmë përmban gojëza të mëdha ajrosjeje për të furnizuar me ajër 13 radiatorët e makinës. Kofano e ndërtuar me fibër karboni është modifikuar për të mundësuar kompresorin e madh të motorit dhe disa dalje për të lejuar shkarkimin e ajrit të nxehtë të motorit.


Forma e përparme dhe linjat anësore mundësojnë shfrytëzimin e ngjeshjes së ajrit (downforce) e cila ofron stabilitet në shpejtësi të larta. Nga mbrapa gjejmë në varësi të zgjedhjes dy mundësi spoileri (bisht aerodinamik), një nga të cilët i përshtatshëm për guidën ekstreme në pistë.
Pikërisht për në pistë Corvette ofron edhe mundësinë e frenave speciale me karbon dhe qeramikë me pinca frenash me 6 pistonçina.

Sebring Orange Design Package është një nga paketat speciale të pajisjeve shtesë e cila përfshin bojë speciale me tre shtresa, pincat e frenave në ngjyrë portokalli së bashku me detaje të tjera të brendshme. Kjo paketë përfshin gjithashtu edhe sedilje lëkure me ngrohje dhe ventilim, një impiant audio Bose, sistemin Performance Data Recorder për të bërë matje në pistë, timon me fibër karboni dhe sedilje në design racing (garash).