Tesla Roadster
Prodhuesi amerikan nga California duket se kohët e fundit nuk po kalon kohët e tij më të mira për sa i përket premtimeve dhe pritshmërisë së lartë që Tesla ka krijuar me Model 3, makina që do të demokratizonte elektrifikimin në masë të automobilistëve.
Në mes të shqetësimeve të klientëve, bursës, vonesave dhe ankesave, Elon Musk, mentori dhe CEO (ose drejtor i Përgjithshëm) i Teslas duket sikur ka ngritur kryet dhe po tregon sërish muskujt, si për të treguar që Tesla, pavarësisht vështirësive, ka ende shumë për të ofruar dhe premton teknologji pa kufi.
Kështu, sipas komunikimit zyrtar nga Tesla, “makina më e shpejtë në botë” (cit. Komunikimi për shtyp) u prezantua para pak ditësh. Bëhet fjalë për një makinë sportive ekstreme, elektrike natyrisht, me katër vende dhe roadster (tavani i xhamit është i zmontueshëm) për një guidë me flokët në erë.
Duke filluar me një veçanti në këtë segment, Tesla Roadster ofron katër vende, ose më saktë 2 + 2, pasi vendet e pasme nuk ofrojnë rehati maksimale. Sediljet e pasme në fakt nuk shihen në asnjë foto, por ky nuk është elementi kryesor i një supersportiveje (ka edhe mjaft skeptikë që nuk besojnë se kjo roadster ofron vërtet katër vende).
Nga ana estetike, Tesla Roadster ka një pamje prej sportiveje të vërtetë, edhe pse nuk është aq agresive si një hypercar. Aerodinamika, element themelor në këtë lloj makine, është e realizuar me shumë vëmendje dhe kujdes duke filluar nga shasia e makinës me rrugë kalimi për ajrin nga poshtë dhe një telajo e kuruar, me gojëzën e ajrit në pjesën qendrore të parakolpit. Dy gojëza vertikale që takohen me fenerët në pjesën e jashtme lidhen me dy daljet në formë velëzash në profil, në zonën afër pasqyrës ndërsa nga mbrapa ajri përcillet tek një microspoiler (bisht) që shërben për të krijuar ngjeshjen e nevojshme në shpejtësi të mëdha.
Nga ana e “powertrain” ose motorit, siç jemi mësuar t’i themi tradicionalisht Tesla Roadster bazohet në një bateri me 200kWh e cila ushqen tre motorë fuqia e të cilëve nuk është deklauar ende. Dy motorë, nga një për çdo rrotë, ofrojnë tërheqje në aksin e pasëm ndërkohë që përpara motori shkarkon fuqinë mbi aks dhe jo mbi rrota. Për motorin Tesla informon mbi momentin rrotullues i cili është 1.400 Nm mbi rrota, shifër kjo vërtet prej Hypercar puro.
Pavarësisht se fuqia e madhe duhet të shkaktojë një konsum të ekzagjeruar te baterisë, elementi suprizë vjen nga autonomia: Tesla Roadster mund të përshkojë 1.000km (ose 620 milje).
Siç mund të kuptohet nga shpërndarja e motorëve, Tesla Roadster bazohet në tërheqje integrale, detaj ky që garanton një sjellje uniforme nga ana performancës në asfalt përveç të dhënave specifike: 1.9 sekonda nga 0 – 96 km/h (ose 69 milje/orë mqs në USA përdoret milja dhe jo km). Kjo makinë mund të tejkalojë shpejtësinë maksimale 402 km/h dhe nëse këto të dhëna konfirmohen, Tesla Roadtser bëhet konkurrente e shumë supermakinave që kushtojnë edhe mbi 10 herë çmimin e saj.