na ndiq ne

BMW M3 CS: më sportive se M3

10/11/2017

Për të gjithë ata që ende nuk e dinë (ka vërtet të tillë?) BMW M3 është një ndër versionet më sportive të prodhuara nga BMW mbi bazën e modelit Seria 3. Ky model ka tashmë një trashëgimi mbi 30-vjeçare dhe konsiderohet si një nga makinat më të mira sportive e përshtatshme edhe për guidën e përditshme.

Në këtë rast, risia për të cilën po flasim është seria e limituar M3 CS (Clubsport) e cila do të prodhohet gjithësej në 1.200 ekzemplarë. Versioni 2018 është edhe më i fuqizuar se M3 “normale”. Ky model parashikohet të vijë në konçesionarë në mars 2018.

 

BMW M3 CS bazohet në një karroceri me katër dyer por sjell me vete të gjitha përmirësimet e versionit Coupe’. Fuqia e motorit 3.000 kubikë me gjashtë cilindra rritet në 460Kf (29 më shumë se versioni bazë), ndërsa karroceria merr një look të ri, të ndryshëm, që përcakton qartë karakterin ekstrem. Shasia dhe amortizatorët i janë nënshtruar gjithashtu një proçesi përshtatjeje.

Modeli BMW M3 CS është menduar për të apasionuarit e berlinës me performancë sportive të cilët duan një makinë që mund të përdoret çdo ditë por që të qendrojë denjësisht edhe në pistë. Në variantin e fuqizuar M3 CS, BMW nuk “heq dorë” nga 4 dyer dhe nga bagazhi si i Serise 3 normale. 

 

Reparti BMW M ka punuar për të reduktuar peshën dhe kofano është e përbërë nga fibra karboni. Teknikët kanë ulur bariqendrën e makinës duke përmirësuar kështu reagimin në guidë. Mbi kofanon e bagazhit gjejmë një bisht klasik (spoiler) me fibra karboni që ka funksion aerodinamik.

Disa shifra që tregojnë qartë aftësitë performuese të M3 CS janë karakteristikat e motorit: 460 kuaj fuqi, ku 600 Nm të momentit përdredhës përmirësojnë elasticitetin dhe përgjigjen e komandave (të gazit veçanërisht). Kambio është automatike e llojit M DCT me dopio freksion dhe 7 marshe. BMW M3 përshpejton nga 0 në 100km/h në 3.9 sekonda (!) dhe arrin shpejtësinë maksimale të deklaruar 280 km/h.

Pajisjet bazë të BMW M3 CS janë impianti i ri i shkarkimit (sportiv), një pompë vaji që përmirëson punimin e motorit sidomos në pistë, amortizatorët me kontroll elektronik, sistemin e gradimit të makinës: duke kombinuar opsionet e ndryshme mund të kemi një makinë më të butë për t’u ngarë çdo ditë apo më agresive për t’u përdorur në pistë.

Disqet janë të mëdhenj: 19” përpara dhe 20” mbrapa. Impianti i frenimit bazohet në disqe të autoventiluara me 4 pistonçina por një opsion interesant (shtesë) mund të jenë frenat e qeramikës me gjashtë pistonçina.

Makina është e pajisur edhe me DSC M (Dynamic Stability Control) i cili në këtë version është i programuar të ndërhyjë më me vonesë në krahasim me versionet normale për më shumë liri në guidën sportive në pistë.