Jaguar E-Pace
Jaguar E-Pace është pjesëtari i ri i familjes Suv që pasuron gamën e prodhuesit anglez. Për të patur një ide se ku mund të pozicionohet kjo makinë, mjafton të keni parasysh modelet konkurrente Audi Q3, BMW X1, Mercedes GLA e ndoshta të tjera që mund të shtoni sipas vlerësimit tuaj.
E-Pace ka një pamje dinamike me linja të reja, të pastra, të harkuara dhe harmonike. Stili “qytetar” shprehet në përmasat e kësaj makine. 4.40 m gjatësi e bëjnë atë një zgjidhje shumë të përshtatshme edhe për përdorim të përditshëm në qytet. Pamja mund të bëhet edhe më agresive nga disqet të cilët arrijnë deri 21”, përmasë që mund ta quajmë XL për këtë segment.
Maskerino është tipike Jaguar, në linjë me pjesëtarët e tjerë të familjes, në formë të ngjashme me F-Pace. Fenerët janë më të ngjashëm me F-Type dhe të gjithë elementët e pjesës ballore, së bashku me gojëzat e ajrit, i japin E-Pace një pamje familjare me modelet e tjera, por me një identitet vetjak brenda familjes së madhe Jaguar.
Nga brenda Jaguar E-Pace thekson përshtatshmërinë e saj për përdorim familjar pasi ofron hapësirë dhe kushte të cilat janë të dobishme në bord.
Për shoferin gjejmë një sërë komandash në timon, mundësinë e projektimit të informacioneve tek xhami i përparmë (head up display) dhe një monitor Touch Screen i cili ofron mundësi konfigurimi të shumta per funksionet e navigatorit satelitar dhe multimedia. Ndërlidhje 4G për makinën dhe pasagjerët nëpërmjet “WiFi” së bashku me sistemin audio Meridian 825W plotësojnë “ofertën” teknologjike.
Në peshore E-Pace me 1.700 kg e saj nuk është pupël, por konfigurimi dhe shpërndarja e peshave premtojnë ruajtjen e cilësive dinamike.
Tërheqja është integrale me përjashtim të versionit 2.0 nafte me 150kf i cili mund të zgjidhet edhe me tërheqje vetëm përpara. E-Pace vjen me motor nafte dhe benzine me vëllim të njëjtë, 2.000 kubikë. Motorët e benzinës kanë dy nivele fuqie, 249 dhe 300kuaj fuqi. Motorët e naftës, më të kërkuarit për tregun shqiptar, fillojnë me 150 kf të versionit bazë, i ndjekur nga një version i mesëm me 180 kf dhe versioni Top ofron 240 kf. Në këtë version, akoma më interesante është vlera e momentit rrotullues, 500 Nm në vetëm 1.500 xhiro, që do të thotë se ky motor është gjithmonë i gatshëm t’i përgjigjet komandës.
Shoferit i ofrohet mundësia të “personalizojë” makinën edhe nga ana e sjelljes në rrugë. Kështu, cilësitë dinamike të makinës që përfshijnë motorin, reagimin e timonit dhe të shpërndarjes së fuqisë në rrota janë të gradueshme sipas preferencave.
Në fund, për të treguar që Jaguar nuk harron asnjëherë detajet, drita që nga pasqyra ndriçon zonën përpara derës, projekton në tokë një siluetë Jaguar-i të madh së bashku me një të vogël, si për të treguar se e sapoardhura gjen terren të konsoliduar nga modelet që i paraprijnë.