na ndiq ne

Porsche Cayenne i ri

05/11/2017

Porsche Cayenne mbetet një makinë jo e zakonshme në panoramën automobilistike. Në 2002, në një segment ende të ri (SUV) dhe me shumë skeptikë përreth, një SUV sportive nuk kishte kuptim ende për shumë specialistë dhe jo specialistë.

Sot, pas 15 vitesh karrierë dhe një sukses që numëron mbi 760.000 makina të shitura, Porsche Cayenne vjen në gjeneratën e saj të tretë.

Si çdo model tjetër Porsche, detyra është shumë e vështirë midis të “ruajmë identitetin karakteristik Porsche” dhe “të rinovojmë modelin në të gjitha drejtimet”.

Kështu, nga jashtë Cayenne është e re dhe ndryshon nga modeli paraardhës, pavarësisht se nuk revolucionon asnjë tipar të sajin. Kjo të paktën nga jashtë, sepse nga brenda ndryshimet janë të ndjeshme. Një miks midis motrave të saj, sportives 911 dhe “luksozes” Panamera, Cayenne e re totalisht e rinovuar.

Kuadri është LED dhe ofron të gjitha informacionet e nevojshme mbi makinën, sistemet e çdo gjë tjetër. Këtë e bën në të gjithë hapësirën majtas dhe djathas pasi në qendër gjendet matësi i xhirove të motorit, siç e do tradita.

Një tjetër monitor LED gjendet në pjesën e sipërme të bllokut të komandave, në qendër të kruskotit dhe integron të gjitha sistemet e informacionit dhe të zbavitjes në bord duke përfshirë kështu funksionet e navigatorit, të radios, multimedia dhe një seri informacionesh online në kohë reale nëpërmjet Porsche Connect plus. Lidhja me internetin bëhet nëpërmjet një karte telefoni e cila mund të ofrojë internet 4G.

Komandat në bllokun qendror janë me prekje dhe një sinjalizues akustik konfirmon se komanda u aktivizua. Për më fanatikët (dhe për ne), ky opsion duket i tepërt në një Porsche. Ndjesia në çdo buton dhe prekje duhet të mbetet e vërtetë në një Porsche, e jo “touch” siç e thotë moda, sepse për ne Porsche nuk ka nevojë t’i bindet modës. Gjithashtu, duke qenë se këtu aktivizohen funksione të rëndësishme për guidën “off road” dhe duke llogaritur karakterin sportiv të  Cayenne, nuk na duket as shumë e zgjuar si zgjedhje, por na duhet t’i dorëzohemi realitetit.

Cayenne dhe Cayenne S janë dy variantet e mundshme në momentin e lançimit, të dyja të bazuara në motorin me gjashte pistonë, 2.900kubikë turbo me benzinë. Në rastin e Cayenne, versionit “bazë” nqs mund të quhet kështu, ky motor ofron 340 kf dhe një moment rrotullues prej 450Nm. Këto të dhëna përkthehen ndryshe në një shpejtësi maksimale 245km/h dhe një sprint 0-100 km/h në 6.2 sekonda. Konsumi mesatar i këtij modeli është 9.0 l/100 km dhe koefiçenti i ndotjes është 209 g/km CO2.

Në rastin e Cayenne S motori është i njëjtë në vëllim por ka dy turbo. Fuqia rritet në 440 kuaj dhe 550 Nm si moment rrotullues. Shpejtësia maksimale është 265 km/h dhe shkon nga 0 – 100km/h për vetëm 5.2 sekonda, të cilat bëhen 4.9 sekonda me paketën Sport Chrono.

Konsumi mesatar në këtë rast është është 9.4 l/100 km dhe koefiçenti i ndotjes është 223 g/km CO2.

Porsche Cayenne ofron gjithashtu edhe shumë risi të tjera si disqet me materiale të përpunuara me dhjetë pistonçinë, aksi i pasëm është aktiv dhe i komandueshëm nga timoni dhe amortizatorët janë me ajër. Gjithashtu, tërheqja është dinamike. Në kushte normale tërheqja është thuajse e gjitha mbrapa, por në momentin e parë që ndjehet nevoja për më shumë tërheqje nga përpara, kompjuteri ndërhyn në kohë reale për të dhënë transmetuar fuqi edhe aksit të parë.

Çmimet për versionet bazë pritet të jenë 80.500 euro për Cayenne dhe 98.000euro për Cayenne S. Këtyre mund t’i shtoni patjetër opsionet që dëshironi dhe paketat e shumta të cilat i shtojnë bukuri Porsche-t tuaj. E kotë t’ju porosisim për portofolin,në rastin e blerjes së një Cayenne nuk do të jetë i lumtur.