Opel Grandland X
Prodhuesi gjerman kompleton familjen e makinave të segmentit SUV/Crossover me propozimin e tij të fundit të pagëzuar Grandland X. Është tashmë praktikë logjike që çdo model Opel të ketë bazën tek modeli respektiv Peugeot. Kështu Crossland X është binjak me 2008, ndërsa Grandland X është binjak me modelin 3008. Kujtojmë këtu që Opel është pjesë e Grupit PSA (Peugeot – Citroën) që prej marsit të këtij viti.
Linjat e makinës janë koherente me design-in kontemporan të markës. Grandland X nga brenda shpreh atmosferën esenciale të makinave gjermane sipas traditës shumëvjeare Opel. Kjo duket të ketë qenë edhe një rekomandim i kreut të grupit PSA, Carlos Tavares, i cili ka kërkuar që marka Opel të ruajë ADN-në e saj gjermane sepse kjo është edhe pika e saj e fortë. Kjo frymë ndihet edhe kësaj rradhe dhe përfshin si anën funksionale ashtu dhe cilësinë konstruktive.
Kuadri ruan paraqitjen e tij klasike me kilometrazhin analogjik ndërsa sistemi multimedial përfshin që në versionin bazë platformat Apple CarPlay dhe Android Auto, për të sinkronizuar smartphonet dhe përdorimin e aplikacioneve të dobishme si Google Maps. Gjithashtu është e mundur të menaxhohen telefonatat dhe mesazhet nëpërmjet komandave vokale nëpërmjet aplikacioneve Siri dhe Google Now. Në versionet më të zhvilluara përfshihen edhe ndërlidhjet Wi-Fi 4G dhe shërbimi OnStar (që bën të mundur asistencën e vazhdueshme 24 orë të një operatori për të marrë informacione tregtare dhe turistike, lokalizimin e veturës në rast vjedhjeje dhe shumë shërbime të tjera). Këto shërbime jepen falas për vitin e parë por me abonim në vazhdim.
Ndriçimi ofron përveç llampave tradicionale edhe projektorët me llampa led.