na ndiq ne

Si të ngasim makinën në shi

23/09/2017

Këshilla të dobishme për sigurinë tuaj

Siguria. Të ngasësh makinën me kohë të keqe do të thotë që duhet të jesh dyfish i kujdesshëm. Reduktimi i fushëpamjes dhe humbja e aderencës në rrugë janë gjithmonë faktorë të rrezikshëm.

Edhe pse shumë nga makinat moderne që ngasim sot, të pajisura me sisteme të avancuara teknologjike, duket se japin një siguri të shtuar, në situata emergjente shihet që kjo nuk është e vërtetë. Kur goma nuk arrin të ruajë puthitjen me asfaltin, nuk ka asnjë sistem që të mbajë makinën në rrugë.

Kryesore është këtu që të kemi një makinë në gjendje pune optimale, me fshirëset e xhamit në rregull dhe sistemin e ndriçimit funksional.

Aderencë e ulët – ky është një armik që nuk duhet nënvlerësuar. Ngjitja e gomave në asfalt dobësohet shumë veçanërisht kur kemi të bejmë me pellgje uji që provokojnë efektin “acquaplaning” (ose Hydroplaning) gjatë të cilit gomat humbasin kontaktin dhe aderencën në asfalt.

Përveç aderencës së munguar, gjatë shiut fushëpamja kufizohet dhe kushtëzohet nga pikat e shiut (prandaj fshirëset e xhamave duhet të jenë gjithnjë në gjendje të mirë) dhe nga sasia e ujit që ngrihet nga gomat (prandaj është më i mirë asfalti që drenazhon ujin).

Është gjithashtu shumë e vështirë të kuptosh thellësinë e gropave me ujë. Në ndryshim me atë cfarë mendojnë disa, kur bie shi asfalti bëhet i rrëshqitshëm edhe në rast se kemi të bëjmë me asfalt që drenon ujin. Edhe në këtë rast duhet duhet rritur distanca midis mjeteve dhe duhet ulur shpejtësia.

Kondicioneri të ndihmon për të parë më mirë.

Timoni, pedali i gazit dhe i frenave duhet të përdoren butësisht. Nëse makina është e pajisur me sistem Esp nuk duhet kurrsesi të çaktivizohet. Nëse mungon sistemi Esp duhen shfrytëzuar marshet më të larta për shpejtësinë e makinës në mënyrë që të shkarkohet më pak fuqi motorike në rrota duke bërë që rrotat të rrëshqasin më pak. Duhet aktivizuar gjithnjë kondicioneri për të shmangur veshjen e xhamave. Nëse duhet, mund të orientoni ajrin drejt xhamit të parë për ta pastruar sa më shpejt.

Xhami i parë meriton një vëmendje të veçantë. Shpesh në lavazhet tona, xhami i parë pastrohet vetëm me një leckë të lagur duke “i dhënë një dorë” të shpejtë. Për të pastruar mirë xhamin e parë duhet një pastrues xhamash (si ai i shtëpisë) dhe një leckë mikrofibër ose akoma më mirë letër pastrimi. Kjo garanton që xhami të mos krijojë dritëhije apo të mos ketë gjurmë në të që pengojnë shikimin të shkaktuar nga dritat e makinave që vijnë përballë natën.

Nëse respekton tabelat eviton surprizat e këqija. 

Të shikosh tabelat gjatë guidës është një detyrim themelor. Aq më tepër me asfalt të lagur sinjalistika rrugore na ndihmon të evitojmë të papriturat. Pra bëni kujdes me tabelat që lajmërojnë kthesat në raste shiu, gungat dhe nënkalimet janë situatat më të rrezikshme pasi krijojnë pellgje uji.

Ecni shumë ngadalë në pellgje!

Të vlerësosh menjëherë thellësinë e një pellgu nuk është aq e lehtë. Pellgjet mund të fshehin një gropë që mund të provokojë dëme serioze tek gomat, disqet dhe amortizatorët  dhe vetura mund të dalë jashtë kontrollit. Nëse nuk mund ti evitoni është më mirë ti kaloni ato ngadalë. E njëjta këshillë  vlen edhe në rast përmbytjesh. Ekziston rreziku që motorri të thithë ujë ose të laget impianti elektrik.