Dritare nga e ardhmja
Blerja e një makine të re, renditet si investimi i dytë më i rëndësishëm pas atij të një apartamenti (në disa vende të botës edhe pas investimit për shkollim). Zgjedhja e markës, modelit e tipareve të makinës kalon në një proçes të komplikuar që është sa analitik aq edhe impulsiv e i bazuar në shije. E ashtu si në shumë fusha të tjera fanari Europian i industrisë automobilistike mbetet Gjermania.
I sapo kthyer nga panairi i Makinave Frankfurt 2017, gazetari Blendi Salaj na sjell të rejat që inxhinieria më e mirë Gjermane e grupit Volkswagen po ‘gatuan’ për të plotësuar nevojat për ‘mobilitet’ të klientëve të markave të grupit.
1. Të mësuar t’ju shohim/dëgjojmë mëgjeseve në Club FM kemi vënë re që temat automobilistike kanë qënë gjithmonë të pranishme. Nga buron interesi për makinat?
Unë jam i apasionuar ndaj teknologjisë dhe zhvillimeve të saj në tërësi, por më intereson gjithashtu edhe mjedisi, ajri i pastër, një nevojë evidente në Tiranë, çka më bën shumë entuziast për makinat e reja. Këto automjete janë pararoja e zhvillimit të shkencave teknologjike, e kombinuar me inxhinieri dhe dizajn të klasit botëror. Në ditët tona zhvillimi i makinave është shumë interesant, gjëra që kanë qënë konstante për gati një shekull, po ndryshojnë. Makinat elektrike sot po lëvizin 500 km me një karikim – kemi për se të flasim.
2. Vetëm pak ditë më parë ju vizituat panairin më të madh të makinave në botë “Frankfurt Motor Show”. Si panair, i cili nga përmbajtja dhe rëndësia renditet i pari në botë, (kujtojmë që organizohet çdo dy vite në vite tek) cfarë mbresash la tek ju?
E ardhmja e makinave është shumë interesante. Siguria që mjetet e së ardhmes së afërt do të ofrojnë tejkalon shpresat tona më të mira. Të gjitha makinat do të kenë opsionin për të vepruar në mënyrë autonome, ku disa nga këto makina ishin në panair. Në panair mund të testoje virtualisht një SKODA Vision E psh. e cila do të jetë në gjendje të ngasë vetveten, të vetëparkohet, të shkojë (e vetme) për të pritur në aeroport dikë që po vjen, e lloj lloj aplikimesh. Mendoni, prindërit do mund t’i çojnë fëmijet në shkollë me makinë, pa qenë vetë prezentë aty. Do jetë një ditë e mirë, kur makina të të lërë tek hyrja e restorantit, dhe pastaj të niset vetë për të gjetur parkim. Ti do ta thërrasësh përmes celularit, kur të kesh mbaruar së ngrëni. Tjetër gjë e rëndësishme ishte orientimi i qartë ndaj makinave elektrike. Të gjithë gjigandët e prodhimit të mjeteve kanë plane të qarta dhe investime të mëdha në industrinë e makinave elektrike-autonome. Shumë modele të këtij lloji ishin atje për të përfaqësuar atë që e ardhmja do të ofrojë.
3. Në pavionin e grupit Volkswagen, çfarë risish të ekspozuara priten të prezantohen në treg për klientët e markës?
Pavioni i grupit VW ishte shumë i madh, sepse kjo familje përfshin Audi, SEAT, SKODA, Volkswagen, Porsche etj ndaj dhe gama e makinave që prezantoheshin në atë pavion ishte shumë e gjerë. Kishte të të gjitha llojeve por mund të përmend Audin A8 që ishte dhe një prezantim i ri në panair. A8 është i mbushur me teknologji dhe përveç kësaj ofron edhe performancë të jashtëzakonshme për ata që duan luksin të kombinuar me teknologji të lartë dhe fuqi motorike.
Volkswagen T-Roc ishte një tjetër makinë që më tërhoqi vëmendjen pasi m’u duk e përshtatshme për në Shqipëri. T-Roc është një SUV sportiv, që duket pak më i vogël se një Tiguan. Ka karakteristika shumë sportive, që e bëjnë të përshtatshëm për udhëtime në fundjava por nga ana tjetër ofron kompaktësinë që në një qytet si Tirana është shumë e dobishme. Më pëlqeu që ka ngjyrën e jashtme të makinës edhe në kroskot, ekrani me prekje lejonte për argëtim dhe muzikë gjatë udhëtimeve, ndaj besoj se të rinjtë do tërhiqen nga T-Roc.
Skoda – Karok ishte një model tjetër që prezantohej në Frankfurt për herë të parë. Pas suksesit që pati me Kodiakun, Skoda ka sjellë këtë SUV kompakt që ofron hapësirë të bollshme në kabinë por dhe shumë vend për bagazh. Për mua SUV-et kompakte janë më tërheqës se SUV-et e mëdhenj, gjithmonë duke menduar hapësirat e kufizuara të parkimit apo ekonominë e makinës. Skoda Karoq ka edhe një sistem argëtimi shumë të sofistikuar dhe një paketë të ofruar nga Skoda që bën që makina të jetë gjithmonë e lidhur me internetin.
SEAT kishte prezantim shumë të mirë me modelet e reja Ateca, Leon dhe Ibiza por ajo që ishte hyrje e re quhet Arona. SEAT Arona është SUV-i i dytë e ofruar nga SEAT pas suksesit të Ateca-s. Arona vjen me disa opsione motorërsh, dhe me kambio manuale me gjashtë marshe, apo automatike me 7. Një zhvillim i ri tek Arona është deaktivizimi i cilindrave. Një opsion i ri që ul ndjeshëm harxhimin e karburantit tek SEAT Arona. Tek kjo makinë më pëlqejnë shumë edhe linjat e mprehta të trupit që i japin një bukuri të dukshme, e ngjashme me bukurinë që shfaq edhe Ateca.
Volkswagen prezantoi një gamë shumë të gjerë modelesh të makinave, nga ato elektrike si VW ID tek sportivet si GTI e deri tek makinat tregtare që shërbejnë për të punuar si Caddy, Amarok, Transporter dhe Crafter. Por unë doja të veçoja, California XXL. Është një Volkswagen me të cilin mund të udhëtohet, por brenda të cilit edhe mund të jetohet. Te them të vërtetën as nuk jam i sigurtë se cili është emri i duhur për një mjet si California XXL, sepse nuk është një kamper i zakonshëm por një mjet i gjerë dhe plot dritë, ku mund të gatuash, të shtrihesh për të fjetur apo për të parë televizor, pra një opsion për të shkuar në vende të bukura pa u shqetësuar për hotelin. California XXL ka dizajn shumë inovativ, teknologji të lartë dhe materialet e përdorura e kthejnë në një automjet të përsosur për udhëtime turistike.
4. Prej disa vitesh tashmë Grupi Volkswagen punon për elektrifikimin e flotës së tij. Cila ishte oferta elektrike e grupit dhe ç’mendim keni për makinat elektrike?
Kam tre emra modelesh për ju Volkswagen I.D. , Volkswagen I.D. Buzz, Volkswagen I.D Crozz.
Tre makina mbresëlënëse në çdo kuptim. Të dukej sikur takoje të ardhmen kur i mbaje sytë nga format futuriste të VW ID, që ishte shumë elegante, e bardhë dhe e lëmuar, dukej si një stoli në panair. Më entuziasmojnë veçanërisht mjetet elektrike dhe këto të trija që Volswagen po sjell janë të pabesueshme. Pritet të jenë në treg në vitin 2020 dhe janë makinat më futuriste që unë kam parë deri tani. Brendësia e makinave është ultra moderne dhe bateria ofron 500 km udhëtim pa nevojë për ta karikuar. Ndërkohë bateria karikohet deri në 80% në më pak se 30 minuta.
Skoda Vision E, të cilën e ngava virtualisht gjatë panairit, siç ju tregova më parë, ishte gjithashtu diçka për tu mbajtur në mend. Si madhësi ishte një SUV e madhe dhe e bollshme, 100% elektrike dhe 100% elegante dhe sportive njëherësh. Do jetë konkurencë e fortë për një gamë të gjerë makinash të mëdha që harxhojnë karburant, sepse Skoda Vision E, nuk ka nevojë për naftë, benzinë apo vaj.
Por më e habitshmja ndër makinat elektrike ishte Audi Aicon, i cili duket sikur ka ardhur në panair nga e ardhmja. Çunat dhe gocat e apasionuar pas makinave sportive do mbesin të shokuar me format sportive të këtij modeli, por do shokohen akoma më shumë kur të hyjnë brenda. Audi Aicon nuk ka timon. Audi Aicon nuk ka asnjë pedal për të shtypur. Makina është krejtësisht autonome. Nuk ka nevojë që një njeri ta ngasë, Aicon ecën (vrapon) vetë. Një mbushje e baterisë bën që Audi Aicon të ecë për mbi 800 km. Ndërsa Audi Elain, i cili është një SUV gjithashtu pa timon dhe pedale sepse është autonom, mund të lëvizë për 500 km pa karikim të nevojshëm, dhe natyrisht, pa shofer.
5. A është gati Shqipëria për makina elektrike?
Sigurisht që jemi gati për makinat elektrike. Ato janë e ardhmja dhe sa më shumë të humbasim kohë me karburantet fosile, aq më mbrapa do mbesim në teknologji dhe aq më shumë do ta ndosim natyrën tonë. Shqipëria është një vend i përkryer për makinat elektrike, pasi distancat jo fort të gjata dhe territori relativisht i vogël, garantojnë se pika rimbushjeje për bateritë mund të ketë kudo në Shqipëri, që do të thotë se udhëtimi me makina elektrike bëhet i lehtë dhe mjaft praktik.
Por duhet të themi se ndërsa flasim shumë për ambientin, si shtet nuk kemi bërë pothuajse asgjë në lidhje me makinat elektrike. Jemi shumë të prapambetur si vend në këtë aspekt. Mjaft të përmendim se fqinji ynë, Maqedonia ngjitur ka një projektligj për të subvencionuar deri në 5000 Euro blerjen e nje makine elektrikesi dhe uljen e TVSH në 5% për këto mjete të pastra. Maqedonia gjithashtu ka ngritur një strategji për ndërtimin e pikave të karikimit të shpejtë në të gjithë territorin e vendit. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur në Shqipëri, ndaj them se Shteti shqiptar vazhdon të mbetet teknologjikisht i prapambetur. Kjo domosdoshmërisht duhet të ndryshojë, ndaj duhet bërë presion mbi Qeverinë dhe institucionet që të zgjohen nga gjumi e të shikojnë ku po shkon bota. Pas disa vitesh në disa vende të Bashkimit Europian do të ndalohet regjistrimi i makinave me motor me djegie të brendëshme, të gjitha makina e tyre të vjetra (të pamundura per tu regjistruar më në atë vend) do shiten në vende më pak të zhvilluara si Shqiperia, e cila sërisht mund të kthehet në një kosh për Europën. Koha për të tundur institucionet është tani, përndryshe po i ndalojmë vendit progresin.
6. Në përfundim, nëse do të të jepeshin çelsat e një makine për ta nxjerë nga panairi dhe ta mbaje, cila do të ishte?
Volkswagen I.D. Crozz do ishte zgjedhja ime e parë. E lartë, sportive, shumë e bukur dhe krejtësisht elektrike, por ky model vjen pas 2 vjetësh, në 2020, ndërsa nga makinat që janë gati për tregun nga panairi do merrja një T-Roc të ri, ose një Golf elektrik.
Faleminderit! – Kënaqësia ime.