na ndiq ne

Hyundai Bayon 2027

10/11/2026

Ndryshim radikal

Viti i ardhshëm do të jetë një vit i rëndësishëm për kolosin Hyundai, i cili pritet të rinovojë disa modele të rëndësishme vitin që vjen, një ndër to dhe Bayon.
Modeli që pritet të mbërrijë në koncesionarë pranverën e vitit të ardhshëm, pasardhësi i modelit të lançuar në vitin 2021 duket se do të ndryshojë jo pak, aq sa për t’i bërë konkurrencë modelve si Volkswagen T-Cross, Jeep Avenger apo Fiat 600.

Gjenerata e re e Bayon, e paraqitur edhe në ilustrimet tona, pritet të debutojë në Indi në javët e ardhshme dhe, të paktën nga imazhet e para, duket se nuk do të ruajë shumë të përbashkëta me modelin aktual për sa i përket design-it.
Hyundai do të sjellë në këtë model disa elementë stilistikë të marra nga “motrat” më të mëdha të markës, mes të cilave edhe Tucson e fundit, e cila gjithashtu pritet të prezantohet së shpejti.
Pra, për Bayon e ri duhet të presim linja më të forta, më të pastra dhe forma më të prera, një drejtim që duket se konfirmohet edhe nga fotot e para të publikuara zyrtarisht nga Hyundai për shtypin ndërkombëtar.
Nga imazhet e para dallohet qartë që Hyundai ka zgjedhur një design modern dhe minimalist me një karakter shumë më gjeometrik se gjenerata e mëparshme.
Në pjesën ballore spikasin menjëherë dritat e holla Led të ditës të ndara nga fenerët, të cilët janë vendosur në pjesën e poshtme, të integruar në maskerino. Pjesa tjetër ballore është e dominuar nga një zgarë e madhe me furnizim të bollshëm me ajër për radiatorët. Fenerët kryesorë janë vendosur më poshtë, duke krijuar një ndarje të qartë midis dritave të ditës dhe atyre kryesore.
Edhe në profil Bayon duket më e rëndësishme vizualisht se modeli aktual. Harqet e rrotave janë më të theksuara, ndërsa parafangot dhe disqet me design gjeometrik i japin karrocerisë një pamje më muskuloze.
Në pjesën e pasme, elementi që bie më shumë në sy është firma horizontale Led, e cila përsërit në një farë mënyre motivin e përdorur në pjesën e përparme dhe i jep një identitet më të qartë pjesës së pasme.
Edhe kabina duket se do të ndryshojë ndjeshëm. Nga imazhet e para edhe kruskoti sjell një arkitekturë moderne dhe minimaliste, ku pjesën kryesore e merr një panel i madh dixhital, që integron kuadrin dhe sistemin e infotainment.
Ekrani i infotainment është vendosur lart, i lexueshëm lehtësisht dhe me një design të pastër, pa shumë elementë që të shpërqendrojnë.

A do të jetë edhe full hybrid?
Ndryshimi i madh nuk do të jetë vetëm estetik. Nën strukturën e re, Hyundai Bayon pritet të evoluojë arkitekturën aktuale dhe të vazhdojë të ofrohet me motorë benzine, hibridë dhe benzinë/gaz (Lpg). Besojmë se jo të gjitha këto motorizime do të jenë të disponueshme në çdo treg.
Bayon aktuale përdor një motor 1.0 turbo me tre cilindra në gjendje të zhvillojë 90 kuaj fuqi, por flitet se kjo njësi mund edhe të zëvendësohet nga njësia më moderne 1.2 me benzinë + mild hybrid (me ndihmesë elektrike).
Në një fazë të mëvonshme mund të shohim edhe një version full hybrid, këtë herë të bazuar në një motor me katër cilindra dhe vëllim 1.6 litra.
Nëse kjo zgjidhje do të konfirmohet, Bayon e re do të hyjë në një segment ku konkurrenca është gjithnjë e më e fortë dhe ku elektrifikimi, edhe në formatin hibrid, po bëhet një nga armët kryesore të prodhuesve.