na ndiq ne

Ndryshimet në praktikat doganore për automjetet dhe motoçikletat

30/09/2026

A janë rritur vërtet tarifat?

Prej disa ditësh, në rrjetet sociale po bëhet jo pak zhurmë mbi praktikat “e reja” doganore. Qytetarë postojnë vazhdimisht pakënaqësitë e tyre mbi një rritje vlerash që prek automjetet dhe motomjetet. Duket se këto të fundit janë edhe më të prekura sesa makinat, por mekanizmi është i njëjtë.

Po çfarë ka ndodhur në të vërtetë? Ajo që zbuluam ishte interesante. Ligji për zhdoganimin e mjeteve nuk ka ndryshuar. Ajo që ka ndryshuar është mënyra e zbatimit të ligjit.

Sipas një urdhri lëshuar nga Drejtoria e Doganave, drejtuar administratës doganore, ndryshimet e reja bëhen për të patur një sistem më të unifikuar dhe më korrekt në përllogaritjen e asaj që është vlera e references së mjetit që do të zhdoganohet.

Për sqarim, vlera e referencës është vlera mbi të cilën aplikohet formula e praktikës doganore. Në rastet kur blerja është bërë me faturë të rregullt në një ent ligjor si një konçesionar apo kompani, me kontrate, faturë dhe pagesë bankare të rregullt të vërtetueshme, atëherë vlera mbi të cilën aplikohet TVSH në masën 20% është ajo e deklaruar në faturë. Ajo që ndryshon me praktikën e re është vlera e refencës e aplikueshme në rastet që mjeti blihet nga një privat apo në mungesë të një dokumentacioni të plotë që tregon vlerën reale të mjetit.

Më parë referenca e doganës llogaritej duke iu referuar kuotimeve të makinave të përdorura nga revista italiane Quattroruote. Me urdhrin e ri, vlera e referencës nxirret duke iu referuar burimeve të ndryshme për shtete të ndryshme. Kështu për mjete të importuara nga Europa do të kemi Quattroruote për automjetet e importuara nga Italia, Mobile.de ose Schwacke për importin nga Gjermania, Cars.com për importet nga Amerika Veriore, Autowin.com për import nga Azia, e kështu me rradhë.

Për motomjetet referenca do të jetë Dueruote.it, mobile.de, Autoscout24, JD Power, etj.

Identifikimi i mjetit të krahasueshëm bëhet duke konsideruar dhe filtruar në këto platforma mjetet sipas parametrave të markës, modelit, vitit të prodhimit, motorizimit, karburantit, kilometrazht dhe çmimit.

Llogaritja e vlerës së referencës

Pasi të jetë identifikuar mjeti i krahasueshëm, doganieri i vlerësimit (nga qendra) llogarit vlerën orientuese duke nxjerrë një mesatare orientuese. Për shembull nëse çmimi i një mjeti rezulton 15.600eur në Quattroruote, 16.200eur në Mobile.de dhe 15.900 në Mobile.de, atëherë mesatarja orientuese është:

(15.600 + 16.200 + 15.900) /3 = 15.900eur

Për mjetet viti i prodhimit i të cilave nuk rezulton në këto platforma, ka një vlere dysheme nën të cilat nuk mund të zbritet, si vijon:

    1. Vëllim motorik deri në 1.400ck* – jo më pak se 162.500 lekë
    2. Vëllim motorik 1.400 – 1.900ck – jo më pak se 250.000 lekë
    3. Vëllim motorik 1.900 – 2.500ck – jo më pak se 406.000 lekë
    4. Vëllim motorik 2.500 – 3.000ck – jo më pak se 500.000 lekë
    5. Vëllim motorik 3.000 – 4.500ck – jo më pak se 625.000 lekë
    6. Vëllim motorik mbi 4.500ck – jo më pak se 1.000.000 lekë

* – centimetra kub

Për mjetet e kategorisë luksoze si Rolls Royce, Bentley, Ferrari, Lamborghini, Porsche, McLaren, etj vlerësimi do të kryhet rast pas rasti.

Ajo që nuk kuptohet menjëherë është se mënyra e re e llogaritjes zhduk atë që është një zbritje e TVSH në vendet e origjinës, vlerë që ndikon në çmimin e mjetit dhe që sjell faktikisht një rritje të drejtpërdrejtë në vlerën mbi të cilën aplikohet TVSH në masën 20% në doganën tonë.

Akoma më shumë kjo ndikon në doganën e motoçikletave, mbi të cilat rëndon në mënyrë të pakuptimtë edhe një taksë luksi në vlerën 17% e cila aplikohet pas shtesës së vlerës së TVSH-së. Për ta kuptuar më mirë, nqs një qytetar importon psh një motoscooter Piaggio Beverly 300ck (kubikë), që i përdorur mund të kushtojë midis 3.000 dhe 5.000eur, mbi këtë mjet aplikohet taksa e luksit. Ky është një mjet me të cilin ai mund të shkojë në punë për të evituar trafikun. Ndërkohë nuk aplikohet taksë luksi nqs do të importonte për shembull një SUV me vlerë 45.000eur.

Në lidhje me motoçikletat ka ndryshuar edhe përllogaritja e çmimit të mjeteve me vjetërsi mbi 10 vjet, ku ka një rritje të ndjeshme të atyre që në fakt mëparë konsideroheshin vlera të ulëta krahasuar me tregun real.

Po a duhet motomjetet të paguajnë taksë luksi dhe me çfarë baze është vendosur kjo? Duke konsideruar se motomjetet sjellin vetëm dobi në jetën urbane, përgjigjia duket se vjen natyrshëm, por kjo do të jetë objekt i një trajtimi të ardhshëm, duke bërë pjesë të diskutimit edhe përfaqësues të doganës ose ministrisë.