A mund të projektohen emocionet?
Makinat europiane, midis trashëgimisë dhe betejës me Lindjen e largët
Për më shumë se një shekull, makinat nuk kanë qenë thjesht mjete transporti.
Kanë qenë kujtime, statuse sociale, pasion, identitet dhe ndonjëherë edhe pjesë karakteri.
Për disa njerëz, makina është vetëm mënyra për të shkuar nga pika A në pikën B.
Për të tjerë, është emocioni më i prekshëm që inxhinieria ka arritur të krijojë, një zemër që sa më shumë pistonë të rrahin, aq më fort pulson.
Kapitali i imazhit nuk kopjohet
Për shumë shoqëri, makina është një status simbol që tregon shumë kush jemi dhe si duam të projektohemi: të suksesshëm, modernë, klasikë, ambiciozë, etj.
Kështu Jaguar, Land Rover, Rolls Royce dhe Bentley janë një simbol klasik i luksit të rafinuar, Ferrari, Porsche, Lamborghini, Aston Martin janë simbol sporti dhe adrenaline, Audi, Mercedes dhe BMW janë simbole premium bashkëkohore, e kështu me rradhë.
Ky është kapital imazhi i ndërtuar me investime njëqindvjeçare në marketing, kulturë dhe emocion. Nuk imitohet. Nuk kopjohet. Ai duhet ndërtuar dhe kjo gjë kerkon kohë. Është ADN e brendshme e markave, e mishëruar në çdo vijë dizajni, në çdo tingull motori, në çdo histori të treguar.
Është një territor vlerash ende është i dominuar nga markat europiane.
Kina: një hap përpara teknologjikisht
Ndërkohë, progresi dhe teknologjia janë kryefjalë të kohës sonë. Në këtë fushë gjërat kanë ndryshuar. Në teknologji elektrike, software dhe ritëm zhvillimi, prodhuesit kinezë po ecin me një agresivitet që industria europiane nuk e kishte parë prej dekadash. Byd, Zeekr, Nio apo Geely janë një hap përpara krahasuar me mesataren e prodhuesve europianë.
Kina ka investuar intensivisht duke rekrutuar dizajner dhe projektues të makinave nga markat më të mira europiane, duke ndërtuar kapacitete prodhuese dhe duke ofruar teknologji të bollshme me çmime shumë më konkurruese.
Europa “luan në mbrojtje”
Prodhuesit europianë, të detyruar nga normativat e reja antindotje dhe tranzicioni i detyruar energjetik, u gjendën në pozicion reaktiv. Jo më pararojë e progresit, siç kanë qenë historikisht, por duke “luajtur në mbrojtje.”
Janë bërë gabime strategjike dhe vendimmarrje politike në rang kontinenti. Evropa kishte më shumë se kushdo për të humbur dhe në fakt ishte ajo që sakrifikoi më shumë. “Anglezët” i kanë dorëzuar armët me kohë (asnjë markë britanike nuk është sot në pronësi angleze), “francezët” dhe “italianët” janë në ujëra të trazuara dhe “gjermanët”, motorri historik i industrisë automobilistike europiane, ndodhen para sfidës më të madhe të historisë automotive.
Ndryshimet e reja do të ndryshojnë me themel botën automotive dhe pasojat e këtij (r)evolucioni mund të jenë më të rënda sesa projektohen.
Konsumatori i hutuar
Ndërkohë konsumatori është i tronditur. Modelet e reja të markave kineze ofrojnë teknologji të bollshme, ndoshta dhe të tepërt, por janë të panjohura. Janë tërheqëse sepse kushtojnë më pak sesa markat europiane dhe premtojnë shumë, në letër të paktën, por a mund t’i besojmë?
Emocionet, a mund të elektrizohen?
Një Audi e njohim prej më shumë se një shekull. E ka patur babai (e ndoshta gjyshi) ynë, na ka treguar histori, jemi rritur me të. Një Volvo është simbol familjar, siguri, design, komoditet, një BMW është një eksperiencë guide që “nuk tregohet dot” dhe një Alfa Romeo ishte makina të cilës vetë Henry Ford i hiqte kapelen.
Por e gjitha kjo histori është tashmë në rrezik. Zemrat europiane duhet të bëhen elektrike. Po a emocionon dot një zemër elektrike? A mund të ruajnë markat europiane tiparet dhe karakterin që kanë ndërtuar ndër dekada, brenda një platforme të heshtur, uniforme, pa “aromë” dhe pa “tingull”?
Konkluzion
A do t’i ruajnë dot markat europiane tiparet që kanë ndërtuar dhe trashëguar ndër dekada? Emocionet, me të drejtë, nuk blihen dhe vështirë se projektohen. Por në epokën e re me çmime agresive, teknologji të sofistikuar dhe një konsumator gjithnjë e më pragmatik, ato janë pashmangshmërisht të rrezikuara.
Beteja e re automobilistike nuk është vetëm teknologjike. Është një betejë identiteti.
Europa ndërtoi makina që mbahen mend. Kina po ndërton makina që përditësohen si telefonat.
Pyetja mbetet e hapur: a do t’ia dalin mbanë “gjermanët”, “italianët” dhe pjesa tjetër e Europës apo ky është fundi i një epoke të lavdishme?



