na ndiq ne

21 vjet më parë me makina të vjedhura

05/05/2020

Shëmbëlltyra në pasqyrën përtej Adriatikut

 Ishte periudha kur filluan të lulëzonin “katërfenerëshat” me kambiot e para automatike si simbol i makinave të para moderne, ishte periudha kur “Golfi 2” ishte një dëshirë e  paaksesueshme për të rinjtë, ishte koha kur Opel Calibra ishte makina sportive që mund të ëndërroje, ishte koha kur Nissan Patrol ishte shprehia më e plotfuqishme e një makine 4×4 dhe mbi të gjitha ishte perandoria e fundit e Mercedes-it “240”.

Ishte njëkohësisht edhe një periudhë kur të gjithë kishim dëshirë të rilindnim pas vitit të tmerrshëm ’97, kur mund të këmbeje një “kallash” me një thes miell. Në këtë kontekst, në këtë kaos pasigurie, kur asgjë nuk kontrollohej e verifikohej, gjëja më e thjeshtë që mund të bëje, ishte të importoje në Shqipëri çdo gjë, të ligjshme e të paligjshme dhe të importoje një makinë të vjedhur ose që më vonë do të deklarohej e tillë, ishte një lojë fëmijësh.

Ishte kjo zanafilla e makinave moderne në vendin tonë, së bashku me morinë e problemeve që këto mund të mbartnin pas njëfarë përdorimi, pasi në atë kohë, të ndërroje vajin e makinës ishte diçka që shpesh mund ta bëje edhe vetë, për ata që ishin të kujdesshëm, por që për shumicën ishte diçka e padëgjuar. Të flisje në atë kohë për ndërrim vaji të kambios ishte thjesht një herezi.

Pavarësisht kësaj, nga ky moment e në vazhdim, çdo shqiptar (që kishte mundësi ekonomike) shtiu në dorë fjalën e fundit të shkencës dhe e solli atë në rrugët tona. Kjo gjë i ngjante gati gati një eksperimenti. Makinat e prodhimeve të fundit të asaj kohe filluan të përdoreshin në rrugë të pashtruara, me karburante të llojeve të ndryshme përfshirë edhe “naftën e anijeve” ndërsa serviset e makinave numëroheshin si gishtat e dorës dhe asnjë markë nuk kishte përfaqësi zyrtare në vendin tonë ende.

Efekti i këtyre makinave në rrugët tona ishte thjesht “wow!”, por dikush tjetër, e kujton në mënyrë të hidhur këtë periudhë. Është fjala këtu për një ndër revistat më prestigjioze në sektorin automotive, Quattroruote, një institucion në Itali, vendi që në fakt ka qenë edhe më i godituri nga ky fenomen në atë kohë.

Gazetari Emilio Deleidi, përshkruan mirë atë periudhë, me aq sa mund ta bëjë një i huaj natyrisht, por duke e dokumentuar në mënyrë profesionale edhe me foto që na u dukën nostalgjike, pavarësisht se të lenë një shije të hidhur me çfarë të kujtojnë.

Në fotogaleri mund të shikoni disa prej fotografive që ne morëm nga faqja italiane ndërsa për ata që duan të lexojnë artikullin e plotë mund ta gjejnë atë në këtë link.