Si të ruhemi nga Coronavirus në makinë
A jeni të kujdesshëm sa duhet?
Këto ditë të vështira që shpresojmë të kalojnë shpejt kanë vënë në provë aftësinë tonë për të patur një kujdes dhe higjenë të vështirë për t’u arritur pasi kërkon një vëmendje maksimale në çdo veprim sado i parëndësishëm qoftë në dukje.
Ndër të tjera, një nga mjediset që duhet të kemi shumë kujdes është pikërisht edhe makina jonë, edhe pse përdorimi është i minimizuar në maksimum këto ditë.
Gjithsesi, tashmë kemi mësuar që nuk duhet të biem në panik dhe të jemi të kujdesshëm duke u bërë sistematikë në veprimet tona të përditshme.
Me siguri ne të gjithë kemi shumë pyetje në kokë për të cilat ndoshta nuk gjejmë dot një përgjigje specifike. Ne jemi munduar t’i përgjigjemi duke mbledhur opinionet e ekspertëve dhe duke i organizuar ato në formë dialogu pyetje-përgjigje.
1. A duhet të përdorim maskë në makinë? – Mirë është që të jemi gjithmonë të pajisur me të. Sipas udhëzimeve të fundit të qeverisë, nëse udhëtojmë me pasagjerë në makinë, përdorimi i maskave është i detyruar, por mirë është ta përdorim atë edhe nëse udhëtojmë vetëm. Në këtë formë ruajmë makinën duke e mbajtur atë sa më pastër të mundemi nga virusi potencial me të cilin mund të biem në kontakt edhe kur nuk na e pret mendja.
2. Përveç maskës që mbron gojën dhe hundën, çfarë tjetër duhet të kemi parasysh? – sapo të hipim në bord, duhet të dezinfektojmë duart me një dezinfektues antibakterial me të cilët tashmë jemi mësuar të gjithë. Kur jemi në makinë duhet t’i lyejmë duart me një sasi të bollshme dhe ende pa u tharë solucioni duhet të kalojmë duart në timon dhe levën e marshit për t’i pastruar edhe këto sipërfaqe. Kujdes, nëse dyshoni që solucioni mund të dëmtojë këto sipërfaqe, mirë është të përdorni një cope pëlhure ose mikrofibër për ta fshirë me kujdes atë. Ose mund të përdorni një palë doreza të pastra të papërdorura më parë sapo hipni në makinë.
3. Cilat janë sipërfaqet që preken më shpesh në makinë? – siç mund të shihet edhe nga ilustrimi në foto, këto janë timoni, leva e marshit, ekrani me prekje, komandat e klimatizatorit, çelësi i dritave dhe butonat e uljes së xhamave. Nëse solucionin doni ta lini në makinë, mund ta bëni nëse makina juaj nuk rrin e ekspozuar në diell gjatë.
4. A duhen përdorur dorezat në makinë? – ka shumë dyshime në fakt në përdorimin e dorezave sepse me shumë mundësi përdorimi i tyre është në shumicën e rasteve jokorrekt. Ka kuptim nëse vendosni një palë doreza të papërdorura më parë, por nëse i keni përdorur ato jashtë, psh për të bërë blerjen në supermarket, atëherë me shumë mundësi ato janë ndotur tashmë dhe mirë është të mos përdoren në makinë, të paktën jo pa i dezinfektuar sërish me dezinfektant, por në këtë pikë kjo nuk sjell asnjë dobi. Kujdes duhet të bëjmë nëse përdorim një makinë që nuk është e jona. Në atë rast, përdorimi i dorezave është i këshillueshëm.
5. Ndonjë gjë të veçantë pasi të dalim nga makina? – asgjë të veçantë përveç rregullave të përgjithshme të sigurisë që tashmë i dimë mirë të gjithë.
6. A është e nevojshme ta dezinfektojmë makinën tonë? – normalisht diçka e tillë do të ishte e tepruar nëse nuk kemi ndonjë dyshim konkret dhe nqs nuk kemi një “trafik” të madh pasagjerësh gjatë ditëve. Diçka e tillë do të ishte e nevojshme për makinat e shërbimeve publike si psh taksitë. Në atë rast, dezinfektimi çdo 24 orë do të ishte jo vetëm i nevojshëm, por i detyrueshëm.
Me këto rregulla të thjeshta në mendje do të jeni të sigurt që makina juaj nuk do të jetë një mjedis i rrezikshëm dhe do të ketë rrezikun minimal për t’u ndotur me virusin famëkeq.