Si të kërkoni dëmshpërblimin në rast aksidenti
Sigurimi i automjeteve është një domosdoshmëri përveç se një detyrim ligjor për të cilën të gjithë automobilistët janë të ndërgjegjshëm. Është një shërbim për të cilin urojmë të mos keni kurrë nevojë, por informacioni nuk dëmton askënd.
Sipas statistikave, në Shqipëri çdo ditë ndodhin së paku 2-3 aksidente me pasoja jo vetëm mbi mjete por edhe mbi shëndetin e qytetarëve.
Automag ka hetuar në disa nivele mbi këtë fenomen.
Së pari, sipas informacionit të marrë nga kompanitë e sigurimeve, rezulton se shumica e qytetarëve që pësojnë dëm shëndetësor, apo familjarët të cilët mund të kenë humbur të afërmit e tyre në aksident, nuk ndjekin vetë proceduarat, por kontaktohen apo kontaktojnë avokatët dhe i besojnë atyre ndjekjen e çështjes.
Ndërkohë, nga një hulumtim i rasteve në gjykatë, del se në shumë raste qytetarët fitojnë të njëjtën masë dëmshpërblimi kur përfaqësohen nga avokati me atë që do të merrnin po t’i drejtoheshin drejtpërdrejt kompanisë, me ndryshimin (ose humbjen) që duhet paguar avokati.
Cila është atëherë mënyra më e mirë e ndjekjes së çështjes?
Një ekspert nga kompania Sigal udhëzon mbi mënyrën më të mirë të proçedimit.
Hapi i parë që duhet ndjekur është të lajmëroni kompaninë tuaj të sigurimit në numrin pa pagesë. Një ekspert i vlerësimit të dëmeve do të bëjë vlerësimin.
Nëse janë përfshirë disa automjete në aksident dhe nuk e dini se në cilën kompani janë siguruar, mund të drejtoheni tek zyrat e AMF-së për të marrë informacionin se ku është siguruar automjeti që ju shkaktoi dëmin.
Pas kësaj, drejtohuni tek kompania e sigurimit për të marrë informacionin e plotë mbi dokumentat që duhet të plotësoni dhe se si do të procedohet me rastin tuaj. Të gjitha kompanitë e sigurimeve kanë sportele të dedikuara për këto proçedura, zakonisht me orare midis orës 08:00 dhe17:00. Nëse keni pamundësi fizike për të shkuar në sportel, kompania juaj duhet të ketë publikuar online këto informacione dhe hapat që duhet të ndiqni.
Pasi të keni plotësuar të gjitha dokumentet, dosja juaj quhet zyrtarisht e hapur dhe nga ky moment ju keni të drejtën e dëmshpërblimit deri në një afat kohor prej 15 ditësh nëse keni vetëm dëm të automjetit ose 1 muaj nëse keni pësuar dëme shëndetësore.
Hapi i dytë, në rastin që nuk bini dakord me vlerësimin e ekspertit të kompanisë së sigurimit, mund t’i drejtoheni Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit pranë Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare (AMF), e cila nëse konkludon se dëmi juaj nuk është vlerësuar siç duhet, e kthen edhe një herë për rishqyrtim dhe rivlerësim nga ekspertët e kompanisë së sigurimit.
Hapi i tretë dhe i fundit, në rast se jeni sërish të pakënaqur, mund t’i drejtoheni një avokati i cili do ta ndjekë çështjen në gjykatë dhe normalisht do të kërkojë një pagesë për këtë.
Kjo proçedurë ka edhe një cen tjetër: dërgimi i çështjes në gjykatë do të thotë që procesi mund të vonohet nga disa muaj deri në 2-3 vjet.
Një sqarim këtu është i nevojshëm: çdo njeri ka të drejtën e tij të delegojë një avokat për të ndjekur të tilla çështje. Është në të drejtën e tij, siç mund të jetë edhe në kulturën e tij. E rëndësishme është që qytetari të ketë një mekanizëm të dyfishtë kontrolli, mbi kompaninë e sigurimit dhe mbi avokatin. Nëse i drejtohesh menjëherë avokatit, nuk ka asnjë mënyrë se si të matni performancën e tij.