Renault Koleos
Gjenerata e parë e këtij modeli, e prezantuar në 2008, nuk i bindi shumë klientët potencialë. Ndoshta prej design-it të jashtëm apo ndoshta prej konsumit jo tamam ekonomik. Kaluan 9 vite dhe shumë gjëra ndodhën në Renault, ndër të cilat një nga kryesoret ishte ardhja e designerit të famshëm belg Laurens Van Den Acker, i cili rinovoi ndjeshëm të gjithë stilin Renault duke i dhënë një imazh të ri dhe më të kuruar markës. Koleos e gjeneratës së dytë, duke u nisur fillimisht nga përmasat (467cm gjatësi dhe 271 cm hapi midis dy akseve) propozohet të jetë një ndër zgjedhjet e segmentit D ku bëjnë pjesë të gjithë modelet e mëdhenj SUV.
Ky model bind për nga përmasat, bind nga pamja e jashtme por bind edhe nga cilësia e realizimit të ambjentit të brendshëm të tij, ku sidomos në variantin top Initiale Paris, përfshin sedilje lëkure dhe detaje të tjera cilësore.
Pajisjet e ofruara janë të denja për nivelin e kësaj makine. Përfshijnë impiantin multimedial R-link 2 me një display 8.7″ cili mund të përdoret njëlloj si një tablet. Ky system përfshin “apple car play” dhe “android auto” për t’u lidhur me çdo lloj celulari. Sistemi audio është i kompanisë gjermane Bose dhe ka jo pak por 13 altoparlantë. Fenerët janë me LED, dera e bagazhit është elektrike dhe ka plot sisteme ndihmëse si frenimi i emergjencës për të evituar përplasjet në rast pakujdesie të shoferit, sinjalizim për ndryshim korsie, sinjalizues për rreziqe nga drejtime të padukshme në pasqyra dhe parkim i asistuar. Nuk mungojnë ama edhe disa detaje të cilat tregojnë kujdesin për të mos tejkaluar kostot e prodhimit.
Hapësira në bord të kësaj veture është një nga gjërat e para që lënë një përshtypje positive. Nëse shoferi nuk është gjatësi XXL, atëherë pasagjeri që qëndron mbrapa as nuk e prek sediljen e shoferit sado të shtrijë këmbët. Bagazhi është i bollshëm me volum që shkon nga 579litra deri në 1.795 litra duke ulur sediljen e pasme. Amortizatorët përthithin mirë parregullsitë e asfaltit. Shasia e Koleos eshtë e njëjtë me atë të Nissan X-Trail dhe të dyja ngjasojnë edhe nga karakteri (prodhohen në Kore në fabrikën e Renault – Samsung Motors, atje ku prodhohen edhe shumë SUV japonezë të destinuara për tregjet e Amerikës).
Renault Koleos ofrohet fillimisht e motorizuar me dy motorë diesel: 1600 cm3, 13o KF, kambio manuale (me 6 marsha) dhe rrotat e para aktive dhe me variantin 2.000 cm3, 175 KF, 4×4 i pajisur me kambio automatike të llojit CVT XTronic dhe me katër rrota aktive. Në versionin Initiale Paris, version top nga niveli i pajiseve, Koleos ofron edhe xhamat anësorë me spesor më të trashë për të krijuar një izolim më të mirë akustik. Në guidë, kjo makinë lë një përshtypje pozitive, meritë edhe e kambios automatike e cila reagon mirë në momentin e shkeljes së gazit. Nëse shkelja e gazit është progressive, motori punon me rregullsi duke rritur xhirot në mënyrë progressive.
Duke qenë një 4×4, kjo makinë duhet provuar patjetër edhe me rrotat jashtë asfaltit. Koleos ia del mirë edhe në këtë drejtim falë një sistemi të ndarjes së tërheqjes 50:50 në të dy akset, dhe një frenim selektiv të rrotave falë sistemeve ABS dhe ESP. Me fjalë të tjera, në rast se ndonje rrotë shkëputet nga toka, atëherë sistemi elektronik ndërhyn duke e frenuar atë dhe duke transferuar kështu fuqinë tërheqëse në rrotat e tjera aktive. Ndoshta do të duhet të kishte edhe kontrollin e shpejtësisë në zbritje të tatëpjetave.
Presim të shohim me çfarë çmimesh do të ofrohet në tregun tonë dhe se çfarë planesh leasing do të ofrojë Renault Albania ndërkohë që përgatitemi të bëjmë një provë të vërtetë në rrugët tona.