Mercedes S Class i ri dhe MBUX 2.0
Modeli i ri sjell një gjeneratë të re dixhitale
Më fanatikët mendojnë se emri Mercedes ka vërtet kuptim nëse shoqërohet nga sigla “S Class” dhe në njëfarë mënyre kjo është një e vërtetë e vjetër që fillon në vitin 1972. Që atëherë, S Class ka qenë simbol i teknologjisë, mekanikës më të evoluar dhe cilësisë maksimale të asaj që dinë të prodhojnë në Shtutgart.
Kështu premtojnë edhe kësaj rradhe, në gjeneratën e shtatë të sedanit luksoz, në një epokë gjithmonë e më shumë dixhitale. Në një periudhë kur kemi në xhep qindra gigabyte informacion, shpejtësi përpunimi dhe ndërlidhje të plotë me çdo anë të globit, duket se sektori automotive gjen këtu një dimension të përshtatshëm, por të jemi të sinqertë, të shfrytëzuar vetëm pjesërisht, ende shumë pak, sipas opinionit të shumë specialistëve dhe teknikëve të sektorit.
Duket se teknikët dhe ekspertët e Mercedes-it janë nisur pikësisht nga ky vlerësim për të prezantuar përpara modelit, teknologjinë që S Class i ri do të ketë në bord. Emri i “asistentit” në bord nga Mercedes Benz është MBUX që tashmë vjen zyrtarisht në gjeneratën 2.0. Cilat janë risitë kryesore?
Së pari siguria, MBUX aktivizohet vetëm me identifikimin biometrik (me shenjën e gishtit). Së dyti estetika, ekrani i infotainment “rrotullohet” në pozicionin vertikal dhe zmadhohet aq shumë saqë vendin e parë për përmasa ia merr vetëm Tesla. Së treti teknologjia, ekrani është i llojit oled, maksimumi i teknologjisë aktuale, i njëjti i përdorur për ekranet e smartphone ose televizorëve më modernë. Ekrani reagon në formë vibracioni kur merr një komandë për të treguar që komanda po ekzekutohet.
“ Hey Mercedes” është sërish çelësi zanor për aktivizimin e sistemit. Pas kësaj mund të komandojmë me zë për çdo kërkesë që mund të kemi si rregullimin e klimatizatorit, përzgjedhjen e muzikës apo infomacione të tjera në internet. Risia këtu është që komandat pranohen edhe nga sedilja e pasme. Kjo është sidomos e dobishme sidomos për një S Class, që shpesh ngitet nga një shofer (i punësuar).
Pasagjerët e pasëm kanë në dispozicion edhe dy ekranë Led të ndërlidhur me sistemin dhe me ekranin e shoferit.
Interior Assist është emri i një asistenti unik, i cili ndjek lëvizjet e kokës së shoferit dhe i vjen në ndihmë, psh duke ndezur dritat, nëse sistemi kupton se jeni duke kërkuar diçka në zonën e poshtme të kruskotit, etj.
Kuadri i S Class-it të ri është tërësisht dixhital dhe ka një efekt 3D që ndihmon në një lexim më të mirë të informacioneve. Kësaj i shtohet mundësia e informacioneve që projektohen në xhamin e parë (head up display) por me një risi: informacionet projektohen në përmasat e një ekrani 77” i cili i mbivendoset pamjeve reale duke dhënë shenjat orientuese mbi pamjet reale në rrugë. Psh. nëse duhet të kthehemi djathtas, shigjeta që na tregon drejtimin mund të jetë e vedosur mbi vetë degëzimin e rrugës që duhet të marrim.