na ndiq ne

Mazda MX-30

16/12/2019

Prodhuesi japonez nis erën elektrike

Formë prej coupé-je, linja të buta, design origjinal dhe detaje të goditura janë receta me të cilën prodhuesi japonez debuton në teknologjinë elektrike. Quhet MX-30 dhe përfaqëson SUV-in e parë elektrik Mazda. E bazuar në platformën e modelit aktual CX-30, modeli elektrik është i gjatë 440cm. nga ana e design-it, MX-30 merr linjat e modeleve aktuale Mazda, por me një bazë origjinaliteti.


Maskerino është e ngushtë, fenerët aktivë Led, profili ngjan me atë të një coupé-je, por kur e sheh me kujdes dallon edhe derën e pasagjerit, e cila hapet në kahun e kundërt me derën e parë, duke u frymëzuar nga modeli sportiv RX-8. E veçanta këtu është që mungon kollona midis dy dyerve që gjejmë në çdo makinë, duke ofruar hipje dhe zbritje të rehatshme.
Plastika e zezë që vesh gjithë shasinë në pjesën e poshtme përfshirë parafangot dhe tavanin është një element origjinal që e bën MX-30 dyngjyrëshe.
Mazda MX-30 ka si objektiv të deklaruar ekologjinë, si nga ana e ndërtimit ashtu dhe në materialet e përdorura. Nga brenda janë përdorur thuajse totalisht materiale të ricikluara si psh. veshja e dyerve, që është realizuar me material të ricikluar nga shishet plastike ose coha e sediljeve që është nga tekstile të ricikluara ose lëkurë ekologjike.


Design-i është origjinal dhe harmonik, ku spikasin detaje si “platforma” e ngritur ku është vendosur leva e kambios apo ekranet Led, të pandashëm tashmë në çdo model aktual. Kuadri është dixhital, infotainment përfshin navigatorin dhe komandohet nga një ekran me prekje ndërsa klimatizatori komandohet nga një ekran i tretë që merr komanda me lëvizjet e dorës pa e prekur atë (me gjeste).
Motori i përdorur ofron 143 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues 265 Nm. Tërheqja është në aksin e parë ndërsa bateria është e vendosur poshtë shasisë për ruajtur bariqendrën e ulët dhe për të mos kushtëzuar hapësirën në bord për pasagjerë dhe bagazhe.

Përzgjedhja e filozofisë ekologjike ka kushtëzuar kapacitetin e baterisë, e cila ndot më pak në prodhim dhe në asgjësim, por ofron vetëm 200 km autonomi të deklaruar. Mqs kjo nuk është shumë, Mazda parashikon edhe një version me motor karikimi monopiston wankel për ata që do ta zgjedhin makinën për të bërë udhëtime të gjata.
Bateria mund të karikohet për 30 minuta deri në 80% të kapacitetit nga një kolonë me kapacitet të lartë 50 kW.

Mazda MX-30 ka një sërë sistemesh që synojnë të rrisin sigurinë aktive dhe pasive. Mund të përmendim këtu frenimin e emergjencës automatik, sistemin e leximit të tabelave rrugore, monitorimi i zonës së verbër në pasqyrë, cruise control,etj.

Në Europë Mazda MX-30 do të propozohet me çmime pak më poshtë se 35.000 euro, me ndryshime sipas sistemeve të taksimit, falë të cilit presim të jetë edhe më ekonomike në Shqipëri. Aq më shumë që në çmim do të përfshihet një wallbox me kapacitet 7.4 kW për të karikuar MX-30 në shtëpi. Në çmim do të përfshihen gjithashtu një sërë opsionesh që e bëjnë makinën të plotësuar nga të gjitha drejtimet. Gjynah që tek ne nuk ekzistojnë akoma bonuset ekologjike, që në vende të caktuara në Europë mund të shkojnë edhe deri në 9.000euro.