na ndiq ne

Çfarë nget Lewis Hamilton jashtë piste?

08/02/2021

Zbuloni makinat garazhit të Kampionit të F1

Kur je një kampion bote në një kampionat makinash, ose më mirë në kampionatin më prestigjioz në botë, dikush mund të mendojë se makinat të kanë ardhur në majë të hundës dhe me shumë mundësi mjeti ideal i transportit mund të jetë bërë biçikleta. Nuk është ky rasti i kampionit anglez Lewis Hamilton, i cili sipas informacioneve zyrtare fiton rreth 42 milionë euro në vit.

Me këto të ardhura natyrisht që mund të ushtrosh shumë pasione prej pasaniku, siç e dëshmon edhe fakti që blerja e fundit e tij është një apartament në New York me vlerë 36 milionë euro. Përveç pasurive të paluajtëshme, Lewis Hamilton shpenzon shumë para edhe për avionë, motorë dhe natyrisht makina.
Po çfarë makinash mund të ngasë një kampion bote në Formula 1, pasanik dhe qejfli?
Le të shohim cilat janë disa nga modelet më simbolike ndër shumë makina që ai nget dhe poston në rrjetet sociale.
Ferrari LaFerrari nuk është një makinë sportive çfarëdo, por një model që mund të jetë xhevahiri i rrallë në garazh edhe për një personazh si Lewis Hamilton. Me motor 6.300 kubikë, V12 dhe 800 kuaj fuqi, kjo vepër inxhinierike arrin deri në 963 kuaj fuqi falë shtytjes shtesë nga sistemi Hy-Kers, të ngjashëm me atë që kanë makinat e Formula 1.
Mercedes SLS AMG Black Series është një model i rrallë i prodhuesit me yll. Motori është një V8 6.200 kubikë dhe zhvillon 631 kuaj fuqi. Modeli në fjalë (black Series) është peshon 70 kg më pak se versioni normal.
Dikur e pajisur me motorë Mercedes në Formula 1, sot McLaren P1 është një hypercar ambicioze që i bën “karshillik” çdo modeli të rëndësishëm në panoramën e makinave sportive. Motori është një V8 me dy turbo, hibrid dhe me fuqi 916 kuaj, ndërkohë që momenti rrotullues është 900 Nm! Janë prodhuar vetëm 375 njësi. Vetëm lista e plotë me aksesorë nga McLaren Special Operations, tejkalonte vlerën 1.000.000euro.
Mercedes AMG-GT R është një nga makinat më të shfaqura në postimet e L.H. në Instagram. Mund dhe të jetë një çështje kontrate, por sidoqoftë nuk na duket ndonjë sakrificë. Seriozisht, flasim për Safety Car të garës më prestigjioze në botë me motor V8, 585 kuaj fuqi dhe 700 Nm moment rrotullues.
Shelby Cobra 427 duket sikur dikush e ka vendosur në garazhin e Lewis-it si për të thënë se ai ka edhe njëfarë vlerësimi për makinat e veçanta dhe klasike.
Duket se dashuritë e L.H. vërtiten midis Italisë dhe Gjermanisë. Pagani Zonda 760 LH është një tjetër xhevahir italian që për nder të kampionit mban inicialet ”LH” të stampuara. Ndoshta e mbani mend që me një të tillë Lewis Hamilton është përplasur me një Suv të ndaluar në rrugët e Monacos?
E mbani mend modelin supersportiv Mercedes-AMG One? Piloti anglez ka qenë pjesë e grupit projektues të kësaj makine me motorizim hibrid dhe teknologji F1.

Hamilton ka deklaruar shpesh se është shumë i ndjeshëm ndaj mjedisit. Pikërisht në mbështetje të kësaj sjelljeje ndihmon përdorimi i shpeshtë që ai bën modelit të tij elektrik Mercedes EQC.