na ndiq ne

Volvo XC60: gjenerata e dytë

19/04/2018

Volvo XC60, SUV-i i suksesshëm kompakt prodhuar nga Volvo, vjen në gjeneratën e tij të dytë. Ky model ka një rëndësi strategjike për prodhuesin Suedez, me mbi 1 milion XC60 të shitura vetëm në Evropë, duke arritur kuotën 30% të shitjeve totale të kompanisë. Në të njëjtën linjë stilistike me modelet e gjeneratës së re Volvo si XC90, S90, V90, dhe V60 Volvo prezanton në Sallonin e Gjenevës të vitit të kaluar edhe XC60.

Volvo XC60 merr bazën estetike dhe teknologjike nga “vëllai i madh” XC90, gjë që përbën një avantazh në dobi të cilësisë së përgjithshme, por XC60 vjen me risinë e sistemeve të reja të sigurisë që jo më kot e shpallën “Makina më e sigurt në botë” vitin e kaluar. Nga ana e çmimeve të fituara, XC60 shpalos edhe çmimin “World Car of the Year 2018”. E gjatë 469 cm, XC60 është një alternativë serioze e rivaleve premium Audi Q5, BMW X3 dhe Mercedes GLC.

Volvo e re XC60 bazohet në platformën modulare SPA (si XC90) por ka një profil anësor më të përpunuar, gati-gati të realizuar më mirë se modeli më i madh i familjes. Kofano e motorit është më e gjatë në raport me gjatësinë e makinës dhe fenerët e përparmë bazohen në elementin grafik tipik të modeleve të fundit të cilësuar “Thor’s hammer” ose çekiçi i Thor-it (nga mitologjia gjermane, Zoti i luftës mban në çekiç në dorë).
Modeli XC60 megjithëse më i vogël se XC90, ofron mjaft hapësirë në bord, përfshirë dhe bagazhin, që në kushte normale ka një vëllim prej 505 litrash. Nëse duhet më shumë hapësirë, natyrisht sediljet e pasme mund të palosen për të ngarkuar objekte me vëllim më të madh. Pjesët mekanike janë të një niveli të lartë siç konfirmohet edhe nga amortizatorët e përparmë me gjeometri katërkëndore.

Siç e thamë më lart, Volvo XC60 ka një pajisje shumë të lartë nga ana e sigurisë. Sistemet janë të shumta duke filluar nga ata të guidës së asistuar. Sistemi Steer Assist (korrigjimi aktiv i timonit) i shtohet elementëve të tjerë të sigurisë si psh rregulluesit të shpejtësisë dhe sistemit “kundër gjumit”. Ky sistem ka dy funksione: 1. Sistemin (Oncoming Line Mitigation) që integrohet me frenimin automatik të emergjencës dhe i sugjeron shoferit një trajektore alternative në rast rreziku nga përplasja, 2. Sistemi për monitorimin e zonave të padukshme tashmë ka të integruar funksionin që të ndihmon të devijosh nga trajektoria në mënyrë që të evitohen aksidentet gjatë parakalimit. Si opsion mund të porositet edhe piloti gjysëm automatik “Pilot Assist”, i cili kontrollon timonin, përshpejtimin dhe frenimin deri në 130 km/h.

Përsa i përket motorëve, siç është karakteristikë e Volvo-s tashmë, bazohen të gjithë në njësitë me katër cilindra dhe vëllim 2.000 kubikë, si një modelet S90, V90 e XC90. Tërheqja është përpara ose mbrapa.
Motorët me benzinë janë T5 me 254 kf dhe T6 me 320 kf, ndërsa ata me naftë, që mbeten preference kryesore e tregut tonë, përveç njësisë D3 me 150 kf, ofrohen edhe në variantet D4 me 190 kf dhe D5 me 235 kf. Kambio është automatike me 8 marshe.

Risi në këtë model është versioni hybrid T8, i cili bazohet në njësinë T6 me 320kf duke i shtuar asaj edhe një njësi elektrike me 87kf. Fuqia totale arrin kështu në 407 kf dhe në fakt përshpejtimi nga 0-100km/h është shpërthyes: 5,3 sekonda është një kohë prej makine sportive.
Gati-gati paradiksale që njësia më e shpejtë është edhe më ekologjike. Makina mund edhe të ecë vetëm me motorin elektrik. Autonomia në këtë rast është 45 km dhe bateritë prej 10,4 kwh mund të karikohen në 3 ose 7 orë, sipas impantit elektrik që do të përdorni.

Duke filluar nga 39.900eur, ky model Volvo është i destinuar të tejkalojë suksesin e modelit paraardhës. Pë të gjithë kuriozët dhe të interesuarit, XC60 është e disponueshme edhe për test drive pas një rezervimi paraprak pranë konçesionarit zyrtar Volvo në Durrës.