na ndiq ne

Volvo XC40

06/10/2017

 

Volvo ka vendosur tashmë qartësisht piketat e stilit dhe identitetit të saj dhe pas një pëlqimi masiv në këtë drejtim, rruga drejt rritjes kalon domosdoshmërisht nëpërmjet shumëfishimit të modeleve të saj. Kështu vjen edhe risia e fundit e saj, XC40, në segmentin më trendy të momentit, atë të makinave SUV.

Motra e vogël e XC90 dhe XC60 është një makinë kompakte, sportive dhe me grintë.

Volvo XC40 do të ofrojë variante të ndryshme motorizimi dhe opsionesh, ku versioni fillestar do të jetë D3 me naftë, me fuqi 150 kuaj. Ky version, në ofertën bazë, fillon nga pak mbi 30.000euro. Do të pasohet më tej nga versionet D4 AWD 190 CV dhe T5 benzinë 247 KF.

Volvo XC40 T5 R Design AWD edhe pse është kompakte nuk duket shumë e vogël në krahasim me Volvo XC60. Në fakt është e gjatë 4,43 m, gati 26 cm më e vogël se motra e madhe, por me një personalitet të spikatur.

Pjesa e kofanos ka linja të gdhendura të orientuara drejt maskerinos në ngjyrë të zezë me shkëlqim. Në profil, dallohen parafangot e evidentuara dhe një design agresiv me pjesën e sipërme është te fryrë ndërsa pjesa poshtë është “e ngrënë” dhe e zbukuruar me mbrojtëse plastike. Pjesa që e personalizon më shumë karrocerinë është linja e rripit që ndjek linjën e xhamave të dyerve dhe në fund ngjitet drejt xhamit të pasëm. Mbrapa gjejmë fenerët klasikë të Volvos dhe derën e bollshme të bagazhit.

Në brendësi të makinës vihet re përdorimi i materialeve cilësore dhe teknologjia nuk mungon: gjithçka është dixhitale. Sistemi multimedial është mjaft i bukur me ngjashmëri evidente me modelet më të shrenjta. Është e veçantë edhe veshja ngjyrë portokalli e paneleve të dyerve dhe të zonës dysheme/ tunel. Timoni është pak i përkulur sipas stilit sportiv ashtu sikurse edhe pjesa e pedaleve. Hapësira është e mjaftueshme edhe në pjesën e pasme pavarësisht pozicionimit të këtij modeli në gamën e modelev SUV Volvo.