na ndiq ne

Volvo 164 feston 50 vjetorin

13/09/2018

Vitet ’60 kanë përkuar me një revolucion të madh botëror që u shpreh kryesisht në dimensionin ekonomik dhe social.  Hovi ekonomik pati ndikimin e tij të drejtpërdrejtë edhe në botën automobilistike, përfaktin e thjeshtë se automobili po kthehej nga mjet transporti për të pasurit, në një mjet masiv të gjithëpërdorshëm. Saktësisht në vitin 1968, Volvo i rikthehet idesë së një veture më të madhe, me maskerino vertikale dhe me fenerë të evidentuar, pikërisht kur disa kërkime tregu orientonin më shumë drejt makinave kompakte, të cilat duhet të ishin edhe e ardhmja.

Modeli i ri i Volvo-s ishte një sedan prestigjioz, i menduar për njerëz me shije që kërkonin mbi të gjitha cilësi dhe elegancë. Për të bërë këtë, kreu i design-it të asaj kohe, Jan Wilsgaard, mendoi të nisej nga shasia e modelit paraardhës 140, duke e pasuruar me një motor më të fuqishëm me gjashtë cilindra. Logo e “hekurt” mori një pozicion dominant në maskerinon me motive vertikale e vendosur në diagonale, si në modelin e parë Volvo të 1927. Mori jetë kështu një model mesatar në përmasa por prestigjioz në realizim, me maskerinon që do të jetë fytyra e Volvo-s deri në ditët e sotme.

Prodhuesi gjerman i kambiove ZF sillte për herë të parë këtu levën e shkurtër ndërsa nga brenda modeli pasurohej me cohë të trashë të sediljeve, realizim dhe asemblim cilësor dhe në sediljen e pasme shfaqet design-i për dy persona me mbështetësen e krahut që ulet nga shpinorja.

Një vit më vonë pasuan sediljet e lëkurës, mbështetëset e kokës, baxho elektrike, ajër i kondicionuar, xhamat elektrikë dhe të errësuar. Kujdes, jemi ende në 1968 … pardon, në 1969, kur në Shqipëri nuk kishte ende shenjë të modeleve të (pa)lavdishme Zuk dhe Gaz 😊
Revistat amerikane deklaronin që nga Volvo duhet të ruheshin mirë markat Buick, Oldsmobile dhe Mercedes dhe se klientela e Volvo-s ishte e përbërë nga njerëz me edukim të lartë dhe profesionistë si doktorë, avokatë, dentistë, arkitektë, etj.  
Edhe slogani ishte perfekt: “Makina luksoze që tregon se ti nuk ke vetëm parà” … por edhe shije nënkuptohej menjëherë, dhe me sa duket goditi në shenjë.

Nga këtu, zhvillimet ishin një dinamikë normale automobilistike me rinovime të vazhdueshme duke përfshirë edhe një Coupé interesante që sot është padyshim një ekzemplar muzeu.

Në vitin 1975, Volvo 1964 i lë vendin pasardhëses 264, i cili mund të jetë modeli i parë Volvo që populli shqiptar njohu, me liberalizimin e importeve në vitin 1991. Kushdo ka patur një model të tillë në vendin tonë, ka kujtime të jashtëzakonshme për sa i përket sigurisë, soliditetit, fuqisë dhe komoditetit, pavarësisht se ishim në një periudhë kur rrugët dhe kushtet e vendit tonë ishin mjerane në maksimum.

Të frymëzuar nga ky tregim nga e kaluara, premtojmë se do t’i rikthehemi sërish historisë, me protagonistë të tjerë interesantë. Gjithashtu, jeni të ftuar të na shkruani sugjerimet tuaja në adresën automag.al@outlook.com për të trajtuar temat me interes për ju.