na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Volkswagen Golf GTI TCR

11/05/2018

Volkswagen Golf GTI ka qenë një model që i ka shkelur gjithmonë syrin të apasionuarve. Në gjeneratën e shtatë të modelit më popullor në botë, Golf GTI TCR Concept vjen si një evolucion që ka kapitalizuar nga eksperienca e modeleve paraardhëse dhe si një miks teknologjik i avancuar. 

Ky version i përpunuar i Golf-it VII bazohet në njësinë motorike 2.0 turbo me benzinë që zhvillon 290 kuaj fuqi në një regjim midis 5.000 – 6.500 xhiro/min. Momenti rrotullues është 370 Nm që në regjimin minimal 1.600 xhiro/min, me fjalë të tjera një motor i gatshëm dhe fleksibël. Kujtojmë këtu që gjeneratat e motorëve të vjetër me benzinë FSI (dhe çdo motor jashtë grupit Volkswagen) fillonin të jepnin rendimentin e tyre afër zonës së kuqe të xhirove të motorit, pra duke filluar nga 4.000 xhiro.


Pilotimi i motorit i është besuar kambios tradicionale DSG me shtatë marsha.
Ky model është i pajisur me një difererencial vetëbllokues në aksin e parë për të garantuar qëndrueshmëri dhe siguri në guidën sportive.
Shpejtësia maksimale është 250 km/h e kufizuar elektronikisht. Klientët, në momentin e blerjes mund të kërkojnë heqjen e limitatorit dhe të kenë mundësi (në pistë) të ecin deri në 265 km/h.


Në ndryshim nga modeli normal ky model është i pajisur me një impiant frenues të përforcuar, që duket edhe nga pincat e mëdha të frenave të evidentuara me ngjyrë të kuqe. Shasia është më sportive dhe më të ulët nga toka, gjenden dy radiatorë më shumë dhe disqe alumini me përmasa të bollshme nr 17″ ose 18″, sipas zgjedhjes.


Nga ana estetike Golfi GTI TCR concept dallon nga vëllai “normal” nga parakolpi i ulët përpara ndërsa nga mbrapa i bën vend tubave të skapamentos realizuar në titanium, detaje këto që e bëjnë këtë TCR më agresive dhe sportive që në shikim të parë.
Nga brenda sediljet janë sportive të veshur me mikrofibër me një shirit të kuq në qendër në stil “Racing”. Detaji i cili dallohet edhe në tegelat e qepjes së sediljeve, të timonit dhe të levës së kambios.


Ende nuk është publikuar çmimi i këtij modeli të veçantë, por gjithsesi Golfi i ri GTI TCR do të duhet të përballet me konkurrentë si Honda Civic TypeR apo Ford Focus ST të cilët edhe pse normalisht janë në një nivel më poshtë në versionet “normale”, në versionet e tyre sportive kanë bërë një punë cilësore. Nëse pyetja më tej do të ishte cila nga këto modele mund të rishitet më kollaj kur të vijë momenti për ta ndërruar, përgjigjia është pak më e thjeshtë 🙂