na ndiq ne

Vaji i motorit

30/07/2017

Çfarë është? Vaji i motorit është një lëng lubrifikues i cili si funksion bazë ka të zvogëlojë sa më shumë fërkimin midis pjesëve të ngurta të motorit të cilat në mungesë të lubrifikimit do të konsumoheshin dhe dëmtoheshin.

Vaji i motorit ka edhe një funksion dytësor të rëndësishëm i cili është ai i ftohjes së pjesëve të ndryshme me të cilat është në kontakt si piston, bjella, boshti me gunga, valvula të ndryshme, etj.

Duke qenë se kjo lëndë është e ekspozuar ndaj një “stressi” të madh fizik siç është temperatura e lartë dhe konsumimi gjatë fërkimit të pjesëve metalike, vaji humbet vetitë e tij lubrifikuese (viskozitetin). Në këtë pikë, lind nevoja e ndërrimit të tij me frekuenca të rregullta kohore (afati varet nga lloji i vajit) ose perdorimi (km të përshkuar).

Çfarë karakteristikash duhet të ketë vaji i motorit?

Ekzistojnë sot në treg lloje të ndryshme vajrash dhe një pafundësi markash, por në përgjithësi mund të dallojmë tre kategori të mëdha: vaj mineral, vaj sintetik dhe vaj “longlife”.

Lloji i parë është vaji më i thjeshtë dhe disi primitiv tashmë. Është i përshtatshëm për makinat bujqësore dhe/ose industriale. Lloji i dytë dhe i tretë janë vajra për motorët e autoveturave dhe motoçikletave, ku i treti, Longlife, është ai më i përshtatshmi për makinat e fundit moderne të pajisura me motorë të fuqishëm.

Kur duhet ndërruar?

Zgjedhja dhe ndërrimi i vajit të motorit nuk është një shkencë e vështirë, por pavarësisht kësaj, për të qenë të sigurt se po bëni shërbimin e duhur makinës suaj, duhen respektuar disa rregulla të thjeshta.

Vaji i motorrit konsumohet ose degradohet nga përdorimi prandaj rregulli i parë është që ai duhet ndërruar rregullisht. Për të ditur se kur mund të ndërrohet, duhen patur parasysh dy parametra të thjeshtë: Parametri i parë dhe më i thjeshtë për t’u respektuar është ai i kohës. Asnjë vaj, me çfarëdo parametrash të jetë nuk këshillohet të mbahet më shumë se një vit. Ka disa vajra të vecantë të ofruar zyrtarisht nga shtëpitë prodhuese automobilistike të cilët mund të zgjasin edhe disi më shumë, ndoshta edhe deri në dy vjet, por këto janë përjashtime dhe duhen ndjekur me shumë kujdes. Rregulli i përgjithshëm për vajin është: sa më i “freskët”, aq më i mirë.

Parametri i dytë është ai i km të përshkuara. Këtu komplikohet disi situata, por mund të orientohemi në bazë të llojit të motorit: një motor benzine është mirë të mos punojë më shumë se 15.000km me të njëjtin vaj, ndërsa në rastin e motorrave të naftës, kilometrazhi mund të shkojë edhe deri në 20-25.000km. Këto që po përmendim janë shifra që I përgjigjen vajrave më të mirë sot në treg, 100% sintetikë në përgjithësi dhe në veçanti versioneve më të mira të mundshme që janë versionet “Long Life” që çdo shtëpi prodhuese ofron në serviset zyrtare të saj.

Në mbyllje, duke përmbledhur, Automag këshillon që të përdorni vaj sintetik (full syntetic) dhe të ndërrohet çdo 15.000 km ose një herë në vit. Nëse përdorni vaj të llojit longlife, atë zyrtarin që çdo prodhues këshillon, mund ta përdorni edhe deri në 25-30.000 km, por me kusht që të jenë të përshkuara edhe këto brenda një viti e gjysëm si periudhë maksimale.