na ndiq ne

Toyota zytarisht në Shqipëri

21/06/2018

Toyota është një markë që nuk ka nevojë për shumë prezantime. Kjo sepse nqs fillon të thuash që është marka më e shitur në botë, thuajse i ke thënë të gjitha. Ky është një rezultat i vështirë për t’u arritur dhe që ka çelësin e suksesit edhe tek një distribucion kapilar anembanë globit.

Por të japësh një liçencë për shitje të një marke si Toyota, që ka edhe tek shërbimi për klientin një nga pikat e saj të forta, nuk është gjë e thjeshtë. Këtë gjë e dinë mirë edhe drejtuesit e kompanisë Alto sh.p.k. të cilët kanë ndërmarrë një nismë të rëndësishme në këtë drejtim dhe kanë arritur të bindin kollosin japonez, ose më mirë botëror, se mund të gjenin edhe në Shqipëri një partner serioz.

“Filozofia jonë është shërbimi ndaj klientit, që nga prezantimi i automjeteve në sallon, dhënies së informacionit të plotë për çdo model, asistenca pas shitjes dhe kryerja në kohën më optimale të këtyre shërbimeve. Përgjatë eksperiencës sime dhjetëra vjeçare tashmë,  kam kuptuar se në menaxhimin e bizneseve të suksesshme, bashkëpunimet më të suksesshme janë ato ku ka shumë punë, përkushtim, korrektesë dhe besim dhe jam i kënaqur që bashkëpunimi me Toyota i ka të tilla cilësi që prej fillimit.”, -tha Z. Avni Ponari, aksioneri kryesor i Alto shpk.

Cilësi si eleganca, teknologjia superiore, performanca në drejtimin e automjetit dhe fortësia e kanë bërë të padiskutueshme Toyotën, si brandin nr.1  më të shitur në mbarë globin. Në sallonin e ri të Toyota-s nga Alto sh.p.k., ofrohen të gjitha shërbimet, që nga shitja e automjeteve deri tek servisi dhe shërbimi cilësor sipas të gjitha standardeve të markës Toyota. Klientëve do t’u mundësohet që të kontrollojnë nëpërmjet kamerave shërbimin që i kryhet automjetit të tyre, duke u ofruar kështu cilësi, transparencë dhe shërbim dinjitoz klientëve.

“Toyota Albania” ofron një gamë të gjerë të modeleve Toyota duke filluar nga Aygo, një model i përshtatshëm për përdorim qyteti por edhe për rrugë jo shumë të gjata e duke vazhduar me modelet e famshme Toyota si Rav4 (lexo këtu artikullin mbi modelin e ri Rav4) apo Land Cruiser (lexo këtu artikullin mbi modelin e ri Land Cruiser) duke përshirë edhe modelet me teknologji hibride e deri tek unikja Hilux.

Drejtori i Toyota Balkans, Z. Vayios Dotsikas, duke falënderuar Z. Ponari në cilësinë e aksionerit kryesor dhe Z. Adrian Totokoçi në cilësinë e Administratorit të Përgjithshëm, u shpreh se është i sigurtë se nga ky sallon i ri i Toyotës në Shqipëri dhe nga ekspertiza dhe përkushtimi i ekipit, të parët që do të përfitojnë do të jenë klientët ekzistues të Toyota-s në Shqipëri, për të cilët këto shërbime më parë mungonin por edhe për klientët e rinj. Prania e këtyre shërbimeve do të rrisë fuqinë e mëtejshme të markës Toyota në Shqipëri.

Salloni i ri gjendet në autodtradën Tiranë – Durrës, kilometri km 05.