na ndiq ne

Toyota Crown: gati gjenerata e re

24/09/2018

Toyota Crown, një model i panjohur për publikun europian, është në fakt një model me histori të gjatë që daton që nga viti 1955. Ky model është një propozim interesant dhe i veçantë, për ata që duan edhe të ndryshojnë pak imazhin nga zgjedhjet e “zakonshme” europiane. 

Jo se Audi A6 apo Mercedes E Class kanë ndonjë gjë që nuk shkon, por ndoshta nganjëherë syri do të shohë diçka ndryshe.
Toyota Crown mund të ishte fare mirë një Lexus për nga niveli i luksit dhe teknologjisë, por për prodhuesin e “lindjes së diellit” Crown mbetet një objekt krenarie dhe tradite.
Në këtë gjeneratë Crown është më shumë europiane se çdo model tjetër dhe këtë e dëshmon edhe një fazë e gjatë testesh dhe kolaudimesh të zhvilluara në pistën gjermane të Nürburgring, nga ku kanë mësuar plot detaje edhe nga kolaudimet e modeleve të ngjashme të kryera në këtë pistë, si psh. ulja e motorit për disa cm, duke ndikuar kështu në një guidë më preçize dhe më performante. Këtu nuk është shumë çështje ekspertize sesa çështje kulture, ku është edhe ndryshimi më i madh midis dy kontinenteve.


Crown pra ka një pamje edhe sportive, përveçse elegante dhe teknologjike. Maskerino është e madhe, parakolpi është i disegn-uar me kujdes, profili është i pangarkuar ndërsa katër daljet e marmitave në pjesën e pasme dhe disqet e mëdha flasin për një model ambicioz dhe performant. Pamja e Crown është edhe teknologjike, me fenerët Led dhe detaje të tjera që pasurojnë një look të kuruar dhe kjo gjë pasqyrohet edhe nga brenda. Këtu cilësia dhe linjat sikur bindin edhe më shumë. Forma të pastra dhe harmonike, teknologji e bollshme, materiale me pamje cilësore.


Vendin kryesor e zënë, më kot ta themi, dy monitorët Led që menaxhojnë sistemin e navigatorit, në pjesën e sipërme dhe një monitor 8”, menjëherë më poshtë i komandueshëm me prekje dhe me lëvizjet e dorës pa prekur ekranin. Ky i fundit menaxhon funksione të ndryshme të makinës si klimatizatori, infotainment, etj.

Teknologjia pasurohet edhe me një sërë elementesh ADAS si frenimi automatik i emergjencës, ruajtja e korsisë, ruajtja e distancës nga mjeti që paraprin, etj. Sistemi infotainment informohet në kohë reale mbi trafikun në rrugën që është duke ndjekur navigatori drejt destinacionit të përzgjedhur.


Motorët dihet që janë të bazuar në njësitë me benzinë të cilët ndihmohen nga motorët elektrikë për versionet hibride. Versioni bazë është një njësi 2.000 kubikë turbo me 245 kuaj fuqi. Versionet hibride bazohen në motorin 2.0 që së bashku me ndihmën elektrike gjeneron 225 kuaj fuqi. Vëllai më i madh, 3.500 kubikë V6 ofron 360 kuaj fuqi total. Versioni hibrid me gjashtë cilindra përdor bateri me ione Lithiumi për motorin elektrik, ndërsa hibridi me motor 2.0 përdor bateri të bazuar në nikel-metal, që janë më të thjeshta.


Versionet hibride asistohen nga një kambio automatike me 10 marsha, të ngjashëm me një kambio CVT nga ana e punimit (kliko këtu për kambion CVT) por që garanton një ecje të mëndafshtë, premtojnë në Toyota.
A do të vijë Toyota Crown në Shqipëri? Nëse po, do të ishte një alternativë interesante për segmentin ku ben pjesë? Ju lëmë me këto pyetje, në pritje të vendimeve komerciale të prodhuesit më të madh në botë.