na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Teste dhe kolaudime për BMW X7

06/05/2018

 

Diçka e rëndësishme gëlon në segmentin SUV prej kohësh dhe në këtë rast sgmenti maxi Suv do të pasurohet me disa konkurrentë të rinj. Në njëfarë mënyre, ky segment duket sikur prej kohësh është nën sundimin e një emri si Range Rover, me njëfarë pranie jo shqetësuese të modelit GLS nga Mercedesi. Pavarësisht se Audi Q7 në përmasa vendoset diku midis këtyre dy modeleve, nga çmimi është konkurrues në nivelin e GLE apo X5 apo Range Rover Sport.

Me sa duket edhe ky segment do t’i nënshtrohet një konkurrence treshe gjermane ku njësoj si Audi, në punë e sipër për të lançuar modelin Q8, edhe BMW është duke përgatitur modelin X7. Ky model synon të ofrojë luksin dhe teknologjinë e Serisë 7 por me më shumë hapësirë, më lart nga toka dhe natyrisht 4×4.

Ah, se desh harruam, e gjitha kjo do të jetë për shtatë persona në bord. Nga imazhet e para të maskuara duket se modeli i testit, ende jo përfundimtari në detajet e ndryshme (nga brenda nuk ka ende asnjë imazh) nuk do të jetë shumë ndryshe nga modeli concept X7 i prezantuar më parë nga BMW dhe i trajtuar nga Automag në një artikull në atë kohë.

Siç e shohim nga pamjet, përmasat e këtij MaxiSUV do të jenë të bollshme, aq sa edhe rrotat 22” të mos duken të mëdha. Fenerët do të jenë të hollë, sipas linjave të reja të prezantuara më parë nga BMW në modelet e mëparshme X2 dhe X3 dhe maskerino me dopio “veshkën” në turi pëson një ndryshim rrënjësor me këndet e rrumbullakosura që këtu zhduken tërësisht për t’i lënë vendin formave më gjeometrike, sipas trend-it aktual.

Megjithëse pak shpejt për të folur për detaje, kemi mësuar se disa nga motorët aktualë konfirmohen edhe për këtë model, duke filluar nga njësia 3.0 Diesel, që do të pajisë versionin X7 35d. Ky na duket një nga lajmet më të mira për tregun shqiptar.

Padyshim, duke qenë një model luksoz mendojmë që nuk mund të mungojë edhe versoni 4.4 me benzinë që do të pajisë versioni X7 50i. Njësi të tjera dhe risia hibride do të prezantohen gjithashtu në vijim. Detaje të tjera do të jenë edhe sisteme të shumtë të asistencës në guidë dhe timoni aktiv në të katër rrotat.