na ndiq ne

Tesla Semi

23/11/2017

Duket se Tesla ka vendosur të bëjë vazhdimisht zhurmë duke tërhequr vëmendjen e shtypit dhe të publikut në të gjithë botën. Kësaj rradhe objektivi është zgjerimi i ofertës së automjeteve të saj. Në prezantimin që bëri për gjeneratën e dytë të modelit Roadster dhe të prodhimit të një pick-up të ri, Tesla zbuloi edhe kamionin e parë elektrik të quajtur Semi.

Sprint sportiv  – Prezantimin e këtij projekti e bëri vetë Elon Musk. Kamioni Semi do të fillojë të prodhohet në 2019 dhe do të hidhet në treg në 2020. Kompania deklaron për Semi-n do të ketë një autonomi prej 800 km me karikim të plotë. Kamioni mund të transportojë deri në 36 ton ngarkesë. Në këto kushte arrin deri në 60 milje (96 km/h) në 20 sekonda. Koha e realizuar nga Tesla Semi në krahasim me modele te tjera me naftë do të jetë shume më e shkurtër. Pa rimorkio kamioni llogaritet të shkojë nga 0 në 96 km/h në vetëm 5 sekonda.

Klientët e ardhshëm të kamionit elektrik mund të zgjedhin dy versione me dy përmasa të ndryshme. Përvec modelit më të madh dhe performant do të jetë disponibël edhe një version me 480 km autonomi. Në të dyja rastet kamionët Semi do të kenë 4 motorë indipendentë të montuar mbrapa që do të konsumojnë më pak se 2 kWh për milje. Prodhuesi deklaron se impianti frenues do të ketë një kohëzgjatje të pafundme dhe garanton se e gjithë njësia motorike (powertrain) është llogaritur të bëjë 1 milion e 600 mijë km. Pjesa e brendshme e kabinës është elegante dhe minimaliste, me një sedile të vetme qendrore dhe dy ekrane të mëdhenj, nga një në çdo krah të timonit. Modeli bazë për pjesën e sigurisë parashikon të ketë një variant të përmirësuar  Autopilot me frenim automatik në rast emergjence, sinjalizim për të mbajtur korsinë (line keeping automatic) dhe paralajmërim kundër përplasjes (Forward Collision Warning).

Për kamionët e rinj Tesla ka në plan të ndërtojë një rrjet karikimi me shtrirje globale nëpërmjet disa kolonave Megacharger (karikues të mëdhenj). Këto kolona të karikimit të shpejtë, sipas deklarimeve të kompanisë së Elon Musk, mund të karikojnë baterinë për 650 km autonomi në vetëm gjysëm ore.