na ndiq ne

Tesla Model S Shooting Brake

14/06/2018

Tesla Model S ose sedani elektrik duket se do të jetë një prej konkurrentëve të Konkursit të Elegancës që do të zhvillohet në Apeldoorn të Hollandës. 

Ka nisur gati gati si një kapriço ky version, si një tekë e një koleksionisti dhe më tej prodhuesi holandez RemetzCar, i specializuar në prodhime telajosh dhe karroceri makinash, e ka zgjeruar më tej këtë ide duke koleksionuar 20 porosi. Ky do të jetë edhe numri i kufizuar i këtij versioni që ndoshta në planet e largëta të Teslas mund dhe të kthehet në model serie.

Një tjetër palë e angazhuar në këtë projekt të veçantë ka qenë studio e design-it Niels Van Roij, që ka ideuar projektimin e ri të zonës së pasme të makinës. Në një shooting brake (ose station vagon) kjo është një punë vërtet e rëndësishme, duke konsideruar që pjesa tjetër e makinës është thuajse e paprekur. Dera e bagazhit me dritare është design-uar nga zero duke qenë se në modelin sedan, ky element është krejtësisht ndryshe.

Njësia motorike, pardon, e baterisë, mbetet e pandryshuar nga Modeli S sedan, ndërsa nga brenda gjejmë elementë të rinj si lëkura e përdorur me qendisje me kontrast dhe elementë në fibër karboni që përmban edhe logon e prodhuesit hollandez.

Nuk ka njëinfo mbi çmimin zyrtar, që siç mund të imagjinohet, për një makinë me prodhim të kufizuar janë gjithmonë të fryra, por kjo pikë nuk përbën më interes. Jo vetëm sepse në Shqipëri makinat elektrike kanë një jetë të vështirë, por edhe sepse ky model është tashmë i shitur 100%.