na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Tesla Model 3 dhe misteri rreth saj

23/05/2018

Ndërkohë që Tesla mbetet një kompani shumë e përfolur dhe për dikë ndoshta në prag të falimentimit, CEO i saj, Elon Musk ka publikuar një tjetër të re si për të qetësuar zërat dhe për të dëshmuar shpirtin pararojë të kompanisë.

Siç dihet, prej kohësh pritet mbërritja fizike e Model 3, modeli ekonomik elektrik që kushton 35.000 dollarë. Sipas publikimit të EM, në fund të verës do të jenë gati sistemet e karikimit të shpejtë të gjeneratës së re të quajtur Supercharger V3. Ky sistem duhet të ishte me kapacitet 350 kW, por në të vërtetë do të jenë në gjendje të arrijnë deri 250 kW duke dyfishuar aftësitë e sistemeve aktualë. Për momentin vetë Elon Musk nëpërmjet profilit të tij në Twitter ka dhënë disa detaje në lidhje me këto sisteme. Ai konfirmon se brenda 2018 do të dorëzohen porositë e para bazë të Model 3.

Risia tjetër e publikuar nga Tesla ka të bëjë me modelet e reja Model 3 në variantet Dual Motor dhe Performance. Ndërkohë që modeli bazë kushton vetëm 35.000 dollarë, ka gjeneruar aq shumë porosi sa Tesla po ka jo pak vështirësi t’i bëjë ballë prenotimeve dhe është në vështirësi serioze nga ana e kapacitetit prodhues. Tesla planifikon gjithashtu të shtojë dorëzimet e para të Model 3 midis muajit shtator dhe dhjetor, mbasi prodhimi të ketë mbërritur targetin e shumëpërfolur të 5.000 njësi në javë.

Një fakt interesant vjen nga Consumer Reports mbas kryerjes së testeve mbi Model 3 dhe disa komenteve negative. Njësoj si përshtypjet e revistës së specializuar Car and Driver, edhe kjo gazetë raporton që hapësirat e frenimit janë shumë të gjata. Në të njejtën kohë kanë lavdëruar performancën dhe autonominë e baterisë. Sipas disa provave që janë bërë në dy ekzemplarë të ndryshëm Model 3 ka frenuar përtej 46 metrave duke u nisur nga një shpejtësi prej 96 km/h. Ndërsa vetë Tesla ka deklaruar që frenimi ndodh në 40,5 metra.

Arsyeja e këtij ndryshimi sipas prodhuesit Californian vjen nga kushtet e asfaltit dhe nga gjendja e përdorimit të sistemit të frenimit. Nuk duam të mbajmë një pozicion kundër Tesla-s, por duket pak e vështirë që dy revista prestigjioze të kenë “rastisur” kushte të këqija asfalti.

Kritika të tjera kanë ardhur nga Consumer Reports edhe përsa i përket ergonomisë së komandave që janë përqendruar në ekranin qendror me prekje, sipas tyre, aspak intuitiv. Edhe pjesa e komoditetit nuk është gjykuar si optimale për shkak të pajisjeve të serta dhe të zhurmës aerodinamike kur makina ndodhet në autostradë.