na ndiq ne

Si të vlerësojmë një makinë të përdorur

26/11/2017

Kjo është një pyetje që na mundon të gjithëve sa herë që përballemi me një blerje të rëndësishme siç është ajo e një makine. Çdokush blen makinën në bazë të preferencave dhe buxheteve në dispozicion, por për të gjithë problemi mbetet i njejtë: të paguaj aq sa makina vlen dhe të sigurohem që nuk do të ketë surpriza. Kjo është më shumë e rëndësishme sidomos për faktin që për makinat e përdorura në Shqipëri nuk ekziston asnjë garanci ligjore kudo që ta blesh, në konçesionar apo në privat.

A është atëherë një sfidë e pamundur të verifikojmë gjendjen e makinës? Aspak jo, mjafton të ndjekim disa këshilla të thjeshta dhe të kemi pak fat, pasi difekti asnjëhere nuk është i paevitueshëm.

Çfarë duhet të kontrollojmë?

 

Gomat – megjithëse mund të ngjajë një aspekt jo themelor është një element që duhet konsideruar me kujdes. Së pari duhet parë vjetërsia dhe konsumi. Gomat mund të përdoren maksimumi për jo më shumë se gjashtë vjet nga data e prodhimit. Nëse janë të vjetra apo të konsumuara, duhen vendosur të reja (nuk këshillojmë kurrë goma të përdorura). Vlera e një kompleti gomash te reja është së paku 25.000lekë të reja dhe kjo është një vlerë që mund të negociohet me shitësin. Së dyti dhe ndoshta më e rëndësishme se e para, nëse gomat kanë konsum jo uniform, kjo mund të jetë tregues i ndonjë anomalie serioze që e ka shkaktuar, në amortizim, frenim apo në shasinë e makinës. Gjithashtu, nëse janë shumë të vjetra apo në gjendje të mjeruar, tregojnë se ky mjet nuk ka patur kujdesin e duhur nga pronari i mëparshëm.

Karroceria – kjo është pjesa më e vështire për t’u vëzhguar pasi është pjesa më e kujdesur nga tregtarët e makinave: një luçidim i mirë mund të mbulojë shumë gjëra. Karroceria duhet parë me kujdes dhe në këndë të ndryshme për të parë nëse ka gërvishtje apo dëmtime të bojës dhe nëse ka ndryshime në tonalitetin e bojës. Nëse ka, do të thotë që një pjesë e makinës është rilyer dhe shkaku mund të jetë edhe një aksident. Pyesni shitësin menjëherë dhe kërkoni përgjigje. Nëse dredhon apo ju tregon një histori “gazmore” mund të jetë duke fshehur dicka. Duhet të kontrolloni edhe pjesët e telajos në pjesën e brendshme të motorit, nëse ka shenja gërvishtjesh, saldime apo deformime që mund të jenë gjurmë aksidenti apo problem serioz (zjarr motori apo çfarëdo difekti serioz që mund të ketë lënë gjurmë).

Shasia – në më të mirën e rasteve, nëse makina që keni përzgjedhur po ju bind dhe jeni gati për të bërë blerjen. Kërkoni që ta coni në një mekanik që njihni për ta parë nga poshtë nëse ka dëmtime, shenja ndërhyrjesh, shenja aksidenti apo cfarëdo gjurme të dyshimtë. Për cdo gjë që shihni, kërkoni shpjegime.

Një gjë tjetër që duhet të kontrolloni janë amortizatorët. Me siguri që duhen provuar në ecje, por prova e parë bëhet me duar. Mjafton te shtypni makinën nga të katërta gomat dhe të shikoni si reagon. Rikthimi në vend duhet të jetë uniform dhe pa zhurmë. Amortizatorët duhet edhe të shihen me sy. Nëse janë të llojit me vaj dhe kanë rrjedhje vaji, do të thotë që duhen ndërruar dhe janë lekë te tjera që duhet të paguani nga xhepi juaj.

Motori – ose ndryshe “zemra e makinës” sic thotë populli. Këtu së pari duhet hapur kapaku i motorit dhe duhet parë nese ka gjurmë rrjedhjesh vaji që flasin për guarnicione që duhen ndërruar apo për probleme të mundshme. Nëse ka një tub apo një fije më te re se pjesa tjetër e motorit është shenjë ndërhyrjeje. Nuk ka asgjë të keqe në vetvete, por shitësi duhet t’jua thotë. Më tej, makina duhet ndezur dhe duhet parë nëse motori shfaq ndonjë zhurmë anomale. Kontrolloni sasinë e tymit që nxjerr. Në rastin një motori me naftë, pak tym i zi kur i jepni gaz ose kur ndërroni marsh mund të jetë normal, por vetëm pak ama. Nëse është me shumë, mund të këtë problem me djegien e karburantit. Nëse del pak tym i bardhë, mund të jetë normale dhe normalisht zhduket sapo motori shkon në temperaturë normale, por nëse tymi është “gri”ose “blu”atëherë do të thotë që makina djeg vaj me shumicë dhe problemet mund të jenë të shumta dhe serioze. Hiqni dorë nga kjo makinë.

Brenda – është një pjesë shumë e rëndësishme sepse është një hapësire në të cilën ju jetoni. Së pari, makina nga brenda duhet të jetë e pastër nga përdorimi dhe nga dëmtimet. Ajo nuk mund të jetë e re, por nuk duhet të ketë dëmtime shumë të dukshme, si gërvishtje apo shenja konsumi të mëdha në butona apo leva komandash, në dorezat e dyerve apo tek timoni dhe koka e marshit. Një konsum i tepërt apo dëmtime të dukshme tregojnë kilometra të shumtë ose përdorim jo të kujdesshëm. Nëse tavani i makinës nuk është i bardhë, por gri, atëherë mund të jetë shenjë se në makinë është pirë duhan. Shenjë jo kujdesi edhe kjo. Një sy i duhet hedhur edhe pedaleve. Nëse kanë konsum të tepruar apo anomal mund të tregojnë një kilometrazh të lartë. Sapo rrotulloni celësin, verifikoni funksionimin normal të të gjitha llampave në kuadër. Asnjë llampe nuk duhet të mbetet e ndezur apo të sinjalizojë diçka që nuk shkon. Të rëndësishme janë gjithashtu funksionimi korrekt i radios ose navigatorit nëse ka dhe i klimatizatorit. Vetëm mbushja me gaz mund të kushtojë deri në 10.000lekë të reja.

Prova – e së vërtetës. Bëhet fjalë për një provë të vërtetë, ku ju duhet t’i jepni makinës që do të bleni për sa të doni në mënyre që prova të jetë e plotë. Së pari këshillojmë të mos pranoni asnjë justifikim që makina është pa dokumenta apo siguracion. Shitësi duhet të gjejë mënyrën t’ju ofrojë një provë të plotë. Nëse një shitës makinash nuk ka marrë të paktën një targë prove të mbuluar me sigurim ligjor, nuk është për t’iu besuar, nuk është serioz.

Në fillim provojeni makinën në qytet. Mbani radion të fikur dhe mundësisht kondicionerin të fikur për të dëgjuar me kujdes çdo zhurmë të motorit, gomat apo çfarëdo pjese tjetër. Verifikoni me kujdes rritjen e temperaturës së motorit, ventilatorin e motorit nëse hyn në punim në momentin e duhur në rast nevoje dhe nëse vëreni në tërësi çfarëdo anomalie. Verifikoni gjithashtu sjelljen e makinës në autostradë (ose një rrugë të përshtatshme me pak trafik) ku duhet të provoni si reagon makina në shpejtësi të mëdha (të lejuara nga kodi rrugor). Shihni nëse ajo duket e qëndrueshme në kthesa, në frenime apo në devijime të papritura. Këshillojmë patjetër që të tilla prova të bëhen në rrugë pa trafik në momente kur nuk shqetësojmë apo rrezikojmë asnjë makinë tjetër. Rregulli nr. 1 për çdo shofer në çdo situatë është të evitojë dhe të mos bëhet në asnjë rast burim aksidentesh.

Nëse pas gjithë këtyre kontrolleve dhe provave bindeni plotësisht që makina që keni përpara vlen, atëherë ta gëzoni! Mos lejoni që dikush tjetër ta provojë pas jush. Mund të tregohet më i shkathët se ju ;)