na ndiq ne

Seat Leon e re

30/01/2020

 Është prezantuar dje në orën 19.00 në një live web kompaktja spanjolle e segmentit C. Seat Leon është prezantuar për herë të parë në vitin 1999 dhe që atëherë ka shitur mbi një milion njësi, dëshmi kjo e një “recete” që tregu e ka pëlqyer dhe vlerësuar.

Sipas Seat, kjo është makina më teknologjike që marka spanjolle pjesë e grupit Volkswagen ka prodhuar ndonjëherë.

Nga ana e design Leon e re nuk përmbys shpirtin estetik të markës, duke sjellë ama një makinë me dy ose tre volume (Seat Leon do të ketë edhe një version station wagon) të realizuar mirë, me karakter sportiv dhe me përmbajtje të lartë teknologjike.

Nga të gjitha modelet aktuale, ai me të cilin Leon ngjan më shumë mund të jetë Tarraco, SUV-i më i madh dhe më i kushtueshëm i markës, gjë që dëshmon edhe për cilësinë e propozuar nga Seat.

Leon është tani më e madhe se versioni i mëparshëm, saktësisht 4.37 metra për versionin hatchback dhe 4,64 metra për versionin station wagon, të pagëzuar Sportstourer. Teknikisht Leon është ndërtuar mbi platformën Mqb Evo, që të kuptohemi, e njëjta e përdorur për Audi A3 dhe Golf VIII.

Nga brenda Seat Leon e re sjell një organizim të hapësirës së brendshme relativisht tradicional, por të modernizuar nga format gjeometrike të gojëzave të ajrit dhe nga një prani e lartë dixhitale në bord. Kuadri është dixhital me përmasa 10.25” ndërsa infotainment, komandohet nga ekrani me prekje në qendër të kruskotit të vendosur në “stil tableti”.

Leva e marshit, siç kemi parë edhe në modele të tjera të grupit gjerman zhduket për t’i lënë vendin një “joy stick” të vogël i cili mundëson ndërrimin e marshave nëpërmjet teknologjisë shift-by-wire ose me komanda dixhitale. Kjo besojmë kuptohet është e vlefshme për versionet me kambio automatike DSG.

Platforma Mib3 mundëson aksesin në shërbimet e thirrjes së emergjencës, lidhjes wireless me Apple CarPlay apo nëpërmjet platformës Seat Connect në aplikacionin e dedikuar.

Motorizimet  Seat Leon do të jenë me benzinë, naftë, gaz metan dhe hibride plug-in. Motorët e disponueshëm do të fillojnë me njësitë 1.000 kubikë TSI me tre cilindra, me fuqi 90 dhe 110 kuaj, 1.500 kubikë TSI me katër cilindra me fuqi 130 dhe 150 kuaj dhe 2.000 kubikë TSI me 190 kuaj. Motorët Diesel do të bazohen në njësinë 2.000 kubikë me fuqi 115 (thuajse i panevojshëm) dhe 150 kuaj fuqi.

Versionet hibride, më të priturat tashmë në çdo treg, do të ofrojnë njësitë Mild Hybrid eTSI me motor 1.0 me 110 kuaj fuqi dhe 1.5 me fuqi 150 kuaj . Versioni hibrid plug-in (me karikim nga priza) do të bazohet në motorin 1.4 TSI me fuqi totale 204 kuaj ndërsa bateria do të ofrojë sipas Seat një autonomi maksimale prej 60 km. Nuk ka ende informacion mbi konsumin për çdo model, por këtë do ta zbulojmë kollaj me ardhjen e modelit në konçesionar.

Sistemet ADAS ofrojnë funksione si Cruise Control aktiv, Asistenca e emergjencës DCC (Dynamic Chassis Control), etj.

Seat Leon e re do të vijë në konçesionarë në gjysmën e dytë të vitit 2020 me çmime që duhet ende të zyrtarizohen.