na ndiq ne

Rolls Royce prezanton për publikun Cullinan

10/05/2018

Zonja dhe zotërinj, ju prezantojmë Cullinan! – do të ishte fjala hapëse përpara një publiku që prej disa kohësh ishte në “pritje” të makinës së parë në histori 4×4 prodhuar nga Rolls Royce. 

Luks pa kompromise duket se mbetet sërish slogani i prodhuesit anglez edhe pse tashmë në nivelin më të lartë 4×4. Vështirë të themi nëse ishte vërtet e nevojshme një tjetër SUV ultraluksoz, por pas 5.000 porosive të para të kushërirës Bentley Bentayga dhe “sipas kërkesave” të klientelës, edhe Rolls Royce nuk mund t’i rezistonte këtij segmenti.
Por çdo Rolls Royce, Cullinan përfshirë, e ka të bukurën pikërisht tek fakti që nuk është fare e nevojshme. Asnjë blerës i Rolls Royce nuk shtyhet nga nevoja për një blerje të tillë.


Pasi kemi shpjeguar origjinën e emrit në një artikull të mëparshëm, fillojmë me përmasat (gjigande): 5.34metra e gjatë, 2.16 metra e gjerë dhe 1.84m e lartë, janë një garanci për hapësirë të mjaftueshme në bord. Interpretimi i hapësirës përfshin edhe ambjentin e jashtëm. Cullinan Viewing Suite është opsioni që përmban dy sedilje të vendosura në zonën e bagazhit dhe rrotullohen së bashku me një tavolinë në të cilën mund të shijohet ndonjë coctail (shoferi duhet të bëjë kurs barman-i në këtë rast). Për këtë përdorim, amortizatorët e pasëm ulen për të ofruar më shumë prakticitet në uljen në “karrige”.


Nëse e mbani mend, shasia Architecture of Luxury e përdorur edhe nga Rolls Royce Phantom, është e dedikuar vetëm për markën RR dhe nuk përdoret nga asnjë model tjetër brenda grupit BMW. Falë përdorimit të aluminit, shigjeta e peshores ndalet në vlerën 2.660 kg! Aspak një pupël, por dihet, makinat e prodhuesit anglez nuk blihen për xhiro në pistë.
Teknologjia nuk mungon duke ofruar të katër rrotat aktive të komandueshme nga timoni, duke e bërë Cullinanin më të qëndrueshëm në kthesa, edhe pse duke qenë një SUV ruan vokacionin për “aventura” jashtë asfaltit.


Amortizatorët me ajër garantojnë një ecje të mëndafshtë në asfalt dhe njësoj si në rastin e Phantom-it, sensorë dhe telekamera analizojnë asfaltin duke koordinuar përgjigjen e amortizatorëve.
Motori i këtij Rolls Royce bazohet në njësinë V12 biturbo 6.750 kubikë që arrin të zhvillojë 571 kuaj fuqi, jo aq sa priten, por misioni këtu nuk është fuqia, por “qetësia”. Puna e motorit komandohet nga kambio automatike ZF me tetë marsha dhe konsumi, për aq sa ka rëndësi, është 15l/100km.


Si SUV i parë pas 112 vitesh histori, Cullinan ka teknologji të bollshme për çdo terren duke përfshirë shasinë aktive, amortizatorët me ajër dinamikë, sistemin Hill Descent Control, etj. Cullinan mund të zhytet në pellgje deri në 50 cm të thellë, për ata që i bën zemra, natyrisht.
Teknologjia përfshin edhe sisteme si Night Vision, që dallon kalimtarët apo kafshët në çdo situatë dhe sisteme të tjera si Cruise Control aktiv, sinjalizim ndryshim korsie, korrigim korsie dhe sistem lajmërimi për rrezik përplasjeje në bazë të llogaritjes së distancës nga mjeti përpara dhe hapësirës së nevojshme për të frenuar.

Flasim pak për luksin tani? Hapja dhe mbyllja e dyerve është elektrike, me anë të prekjes së dorezave apo butonit. Makina ulet deri në 4 cm për të lehtësuar hyrjen në makinë. Mbështetësja e pasme e ndarë në seksione mund të paloset duke ofruar një tavolinë mbështetëse, nëse mbrapa ulet vetëm një pasagjer. Mund të porositet për katër ose pesë vende, ofron një frigorifer për të mbajtur të freskët Champagne-n (por edhe Coca Cola-n nëse doni). Bagazhi mund të porositet me Recreation Module duke e përshtatur për të vendosur pajisjet e sportit tuaj të preferuar (nuk i referohemi këtu futbollit).
Për ata që mezi prisnin, nuk është bërë ende publik çmimi, por klientela e Rolls Royce, zakonisht nuk ndalet në “detaje të parëndësishme”.