na ndiq ne

Renault Megane R.S. Trophy

23/07/2019

A e mbani mend cila është hera e fundit që ju ka shijuar një xhiro për qejf me makinën tuaj? Kjo është një pyetje që bëjmë sa herë që do të prezantojmë një makinë jo të mërzitshme, siç është edhe kjo e sotmja.

Menjëherë në temë, flasim për Renault Megane R. S. Trophy, një sportive me pesë vende, e përshtatshme për shumë përdorime, që mund t’ju dhurojë shumë emocione dhe që nuk do të kushtojë sa sytë e ballit. Kjo e fundit vlen duke patur parasysh që është një makinë sportive natyrisht.

Çfarë makine është Megane R.S. Trophy? Versioni më ekstrem i prodhuesit francez për këtë model, i projektuar nga një ekip o veçantë teknikësh në të cilin bën pjesë edhe Nico Hülkenberg, pilot i Formula 1. Rezultati? Le të flasim me numra për të qenë sa më të saktë. Megane R. S. Trophy ka një motor 1.800 kubikë me turbo në gjendje të zhvillojë 300 kuaj fuqi dhe një moment rrotullues prej 400 Nm. Rezultati është një kohë 0-100km/h për 5.7 sekonda. Kohë natyrisht shumë e mirë, por që do të ishte një tregues i kufizuar nëse nuk përmendim këtu që kjo Megane R.S. Trophy ka edhe një shasi ekzemplare.

Njësoj si në modele makinash që kushtojnë dyfishin, rrotat e aksit të pasëm janë aktive dhe lëvizin në drejtim të kundërt me timonin për ta bërë makinën të shkathët në shpejtësi të vogla ndërsa në shpejtësi të mëdha lëvizin në të njëjtin drejtim me rrotat e para duke rritur kështu qëndrueshmërinë.

Nga ana estetike, Megane R.S. Trophy është një makinë e kuruar në detaje, brenda dhe jashtë, duke e bërë kështu këtë segment C jashtë normales, një makinë të veçantë me të cilën të ndihesh gati gati edhe i vëzhguar në rrugë.

Kjo makinë bëhet edhe më interesante nqs konsiderojmë edhe çmimin. Për më pak se 40.000 euro mund të posedohet një makinë sportive, me 300 kuaj fuqi, që ka një shasi dhe teknologji të avancuar dhe që t’ju shijojë vërtet sa herë ta ngisni në kthesat e rrugës drejt bregdetit në këto ditë të nxehta.

Për këtë shumë, mendoni më mirë një makinë të tillë apo një Mercedes C Class me naftë që harxhon pak? Zgjedhja mbetet e lirë, por ne ndjejmë detyrën t’ju propozojmë sa më shumë alternativa dhe më e rëndësishmja, sa më interesante, si kjo Renault Megane R.S. Trophy, që del nga një repart sportiv duke ju shkelur syrin 😉