na ndiq ne

Range Rover Evoque i ri

28/11/2018

 Land Rover ka prezantuar këto ditë gjeneratën e dytë të modelit të suksesshëm Range Rover Evoque. Evoque ishte modeli i parë që prezantoi dëshirën e markës angleze për rinovim në design duke guxuar me një frymë të re.

Edhe pse shpesh nuk thuhet, Evoque është modeli i parë Suv me linja prej Coupè-je, që sot mund të mos duket tamam kështu, por përpara tetë vjetësh, ishte modeli më inovativ. Proverbi popullor në këtë rast mund të bëhet “i guxuari – i fituari” dhe shifrat tregojnë se me 770 mijë njësi të shitura, ky Suv qe një sukses i vërtetë.


Gjenerata e re e Range Rover Evoque është bijë e kohës ku jeton, jo vetëm nga ngjashmëritë që ka me pjesëtarët e tjerë të familjes Range Rover, me Velar në veçanti, por edhe me teknologjinë bashkëkohore, ku elektrifikimi është vetëm një prej elementeve.
Po le t’i shohim me rradhë të gjitha detajet. Përmasat janë thuajse identike me modelin e vjetër: 4.37 metra gjatësi dhe 1.7 m gjerësi, por distanca ndërmjet dy akseve rritet me 2 cm, për të përmirësuar sadopak jetën në bord. Bagazhi tani është 10% më i madh se modeli i vjetër me 591 litra kapacitet në kushte normale, që shkojnë deri në 1.383 litra duke palosur sediljen e pasme.


Nga jashtë Range Rover Evoque ruan linjat dhe formën e modelit paraardhës, por duke marrë një frymë të re nga modeli më i madh Velar, përfshirë këtu dorezat e dyerve, tashmë rrafsh me sipërfaqen e profilit dhe stilin e fenerëve, që këtu bëhen shumë të hollë dhe janë Matrix Led.
Nga brenda Evoque i ri merr gjithashtu teknologjinë e modeleve më të shtrenjta duke u pajisur me sistemin infotainment Touch Pro Duo me dopio monitorë Led nga 10” secili. Përveç këtij sistemi “bazë” një sistem tjetër opsional përfshin ekranin me përmasa 12.3”, informacionet e projektuara në xhamin e përparmë (head up Display) dhe ndërlidhet edhe me Apple Car Play dhe Android Auto.

Teknologjia në bord përfshin edhe mundësinë e lidhjes me internetin nëpërmjet një hotspot 4G që mund të furnizojë me internet deri në tetë pajisje me lidhje Wi-Fi. Pasagjerët e pasëm kanë në dispozicion mbështetëse për tablet me funksion karikimi.
Meriton vëmendje këtu teknologjia Smart Setting, që këtu prezantohet për herë të parë, e cila “mëson” zakonet e shoferit dhe e njeh në momentin që hyn në makinë nëpërmjet smartphone-it dhe përshtat sistemet sipas shijeve të tij. Këtu përfshihen stacioni radio i preferuar apo mediat e tjera që ofron makina, temperaturën e zakonshme, gradimin e sediljes dhe të timonit, etj. Nëpërmjet aplikacionit InControl Remote mund të komandohet makina në distancë për të hapur ose mbyllur atë ose për të aktivizuar temperaturën në bord, psh për ta ngrohur përpara se të hipim në makinë.


Paltforma e re mbi të cilën është ndërtuar Range Rover Evoque quhet Premium Transverse Architecture dhe është e realizuar në alumin. Amortizatorët janë Integral Link përpara, Hydrobrush mbrapa dhe përfshijnë edhe amortizimin me ajër me kontroll elektronik (Adaptive Dynamincs).


Tërheqja është integrale (4×4). Merr siglën Active DriveLine dhe mund të ofrojë edhe tërheqje vetëm përpara. Sistemi i menaxhimit të aftësive “off Road” është Terrain Response2. Kapaciteti i zhytjes është 60 cm, që do të thotë se në bordin e Evoque-t të ri nuk do të kemi më frikë përmbytjet e shirave të dimrit të Durrësit apo të Shkodrës.


Hill Descent Control, Gradient Release Control, All-Terrain Progress Control dhe ClearSight Ground View janë sistemet që garantojnë ekskursion të sigurtë jashtë asfaltit në çdo kusht.
Motorizimi i Range Rover Evoque është gjithashtu inovativ. Sigla Ingenium përfshin teknologjinë Mild Hybrid 48V.
Në momentin e lançimit motorët që mund të përzgjidhen do të jenë Si4 me benzinë me 200, 250 dhe 300 kuaj fuqi dhe Td4 me naftë me fuqi 150 dhe 180 kuaj dhe Sd4 me fuqi 240 kuaj.


Kambio automatike do të jetë me nëntë marsha ndërsa në ndonjë njësi bazë, mund të gjejmë ende kambion manuale me gjashtë marsha.
Sistemi Mild Hybrid është opsional për të gjitha njësitë, përveç njësive SD4 dhe Si4 me 300 kuaj fuqi ku është i përfshirë. Konsumet mesatare janë 5.6 litra për versionin me naftë me 150 kuaj fuqi. Konsumi rritet në 8.1l/100km për versionin me benzinë me 300 kuaj fuqi, por që do t’ia bënim hallall me qejf, duke menduar që posedojmë një Suv që arrin nga 0-100km/h për vetëm 6.6 sekonda.