na ndiq ne

Porsche Panamera Sport Turismo (Turbo S E-Hybrid)

28/11/2017

Porsche Panamera, tashmë një reference në sektorin e makinave sportive luksoze me katër vende vjen edhe në versionin e një makine familjare. Nën dritën e shqetësimeve ambjentale një motor (elektrik) më shumë mund të bëjë diferencën. Panamera e re bëhet hibride plug-in dhe është makina station wagon (ose familjare siç e quajmë shqip) më performante që ekziston.

Me një cmim fillestar prej 194.600 euro sigurisht është edhe  modeli më i shtrenjtë. Për ata që mund t’ia lejojnë vetes një çmim të tillë, do të blejnë jo vetëm një makinë unike por një produkt teknologjik ekselent me një motor elektrik që bën një punë të dyfishtë. 

Makinë elektrike me ndotje zero. Panamera Sport Turismo e re për 49 km nuk ndot ambjentin dhe nuk konsumon karburant. Me një grup baterish prej 14,1 kw/h dhe një motor elektrik prej 136 Kf në rrotat e pasme Porsche premton se edhe guida elektrike nuk është aspak e mërzitshme. Mjafton të mendojmë në fakt se shumë nga makinat në qarkullim nuk kanë në dispozicion 136 kf.

Shpirti sportiv shprehet i gjithi nëse makina përdoret në mënyrë hibride kur leva e marshit shkon në pozicionin “H”, me të dy motorët në dispozicion dhe pikërisht në këtë pozicion mund të zbulohet edhe karakteri i vërtetë i këtij modeli.  Fuqia e përgjithshme e sistemit është 680 Kf (motori V8 biturbo ka mbetur i njejtë) dhe për habi momenti rrotullues i të dyve në 1400 xhiro është 850 newton meter! Pa futur në punë pozicionet sportive, që këtu gjejmë një kohë nga 0-100 km/h për vetëm 3,4 sekonda dhe pas vetëm 8,5 sekondash kilomentrazhi shënon 200km/h!

Pavarësisht përmasave dhe peshës, Panamera e re garanton një ndjesi sportive në guide, si të kushërirës 911. Tërheqja të ngjit në sediljen komode të kësaj makine. Ndjesia që kjo makinë të jep është sikur je brenda modelit Porsche 911 dhe vetëm hapësirat e bollshme të kujtojnë që është model tjetër. Gjithsesi Porsche Panamera e gjeneratës së dytë synon ti ngjajë shumë në linja modelit 911 sidomos në pjesën e pasme. Kambio PDK me 8 marshe është rinovuar krejtësisht për tu përshtatur me cilësitë e ndryshme të modelit hibrid dhe tani mund të menaxhojë edhe 400 Nm negativë për të rekuperuar energjinë gjatë frenimit. Sistemi i frenimit bazohet në disqe qeramike dhe të jep efektin e kundërt me akselerimin duke të ngjeshur mbas rripave të sigurisë.

Edhe konsumi është përshtatur me performancën. Cikli NEDC për makinat hibride nuk reflekton plotësisht konsumin në rrugë por për momenti kjo është çfarë thuhet nga sa deklarohet. Turbo S E-Hybrid bën në mënyrë spektakolare 3 litra/100 km prej të cilëve gjysma e tyre janë me zero ndotje që nuk vlejnë për të bërë mesataren.

Spoiler (bisht) dinamik. Elementin aerodinamik në këtë model e gjejmë në krye të derës së bagazhit. Ky spoiler shumë i theksuar ngrihet 1 gradë në shpejtësinë 170 në orë dhe gjeneron një shtytje drejt aksit të mbrapëm prej 50 kg. Nëse hapet tavani i xhamit këndi i bishtit shkon deri 26 gradë për të fuqizuar aerodinamikën.