na ndiq ne

Porsche Cayenne E-Hybrid

02/05/2018

Porsche Cayenne, SUV-i i parë sportiv duket se bëhet gati të përballojë sfidat e kohës duke planifikuar një model hybrid plug-in. Perspektiva e motorëve Diesel duket se nuk është aspak ndër më të mirat edhe pse në fakt nuk ka qenë asnjëherë në vetvete thela kryesore e shitjeve për Porsche.

Nën këtë dritë dhe sidomos të ndjeshmërisë dhe kujdesit në impaktin ambjental, Porsche ka vendosur që të zgjerojë ofertën e makinave hibride ne dobi te të gjitha palëve.
Porsche Cayenne E-hybrid do të shfrytëzojë të njëjtën njësi motorike të Porsche Panamera. Kjo njësi bazohet në motorin 3.000 kubikë V6 i cili zhvillon 340 kuaj fuqi. Puna e këtij motori lehtësohet nga motori elektrik i cili zhvillon 136 kuaj fuqi të cilët janë në gjendje të shtyjnë Suv-in gjerman për 44 kilometra duke harxhuar zero litra benzinë dhe duke ofruar një shpejtësi maksimale prej 135km/h.

Në kushtet e përdorimit të dy motorëve njëkohësisht, përfitimi në terma fuqie është i ndjeshëm: në total 462 kuaj fuqi me një moment rrotullues 700 Nm janë një rendiment i lavdërueshëm të cilët ofrojnë nivele konsumi vërtet të ulëta: konsumi mesatar duhet të jetë rreth 3.3 litra/100km. Falë përdorimit të teknologjive të derivuara nga projektet sportive Porsche 918 Spyder, është rritur ndjeshëm edhe performanca sportive për të garantuar më shumë emocione. Pa harruar që nga 0-100km/h arrihen për vetëm pesë sekonda.


Bateria prej 14.1 kWh nga prize e shtëpisë mund të karikohet gjatë natës (rreth 8 orë) ndërsa nga një stacion karikimi i tensionit të lartë (7.2 kW) mjaftojnë pak më shumë se dy orë. Niveli i baterisë mund të kontrollohet nga celulari nëpërmjet Porsche Connect.


Për ta bërë ofertën e re edhe më joshëse, Porsche prezanton disa risi që do të lançohen me këtë model. Head-up Display, sedilje që masazhojnë dhe disqet e reja 22” janë vetëm disa prej tyre.
Për të gjithë ata që janë gati për porosi, duhet ende të presin edhe pak pasi çmimet për Europën (dhe për Shqipërinë) nuk janë bërë ende publike.