na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Opel Insignia ose ndryshe “Grand Sport”

20/04/2018

Gjenerata e re e berlinës gjermane Opel Insignia ndryshon rrenjësisht duke filluar nga emri i ri ose më saktë “mbiemri”. Quhet Insignia Grand Sport dhe Opel premton se kjo buron nga vetë cilësitë e modelit të ri shoqëruar me një karakter më të spikatur.

Opel Insignia pati misionin e vështirë të zëvendësonte modelin e famshëm Opel Vectra. Insignia pati një sukses përtej pritshmërive duke iu afruar kuotës 1 milionë vetura të shitura. Mbi këto baza suksesi, Insignia Gran Sport ka një mision mjaft të vështirë, por duket se letrat i ka në rregull.

Duhet të jetë kjo arsyeja që mekanikët dhe projektuesit gjermanë zgjodhën të zhvillojnë modelin e ri mbi bazën mekanike dhe estetike të modelit paraardhës, duke e rinovuar tërësisht. Kështu, përmirësimet fillojnë nga gjatësia, që rritet 6 cm, në total 490cm, gjatësi tipike për një berline të një segmenti superior, ndërkohë që pesha ulet deri në 175 kg.

Nga modeli i vjetër Insigna Gran Sport ruan linjat sportive si të një Coupé-je me katër dyer, por modeli i ri paraqitet më “mashkullor” falë maskerinos më të shtypur, fenerët më të hollë, linjat e profilit të theksuara dhe pjesa e pasme gati-gati si e derdhur.

Linjat e jashtme të Opel Insignia Grand Sport mbeten të pastra dhe të ekuilibruara. Në kabinë vihen re ndryshime jo të vogla krahasuar me modelin paraardhës. Kuadri përmban edhe një ekran dixhital dhe kruskoti është i bërë mirë në tërësi, me komanda ergonomike, intuitive dhe të mirëvendosura në bllokun qendror. Në qendër të kruskotit gjendet ekrani me prekje i cili shërben edhe si qendra e komandës për sistemin multimedial infotainment. Materialet e përdorura janë cilësore dhe të asembluara me kujdes.

Interesante është pajisja me sistemin e sigurisë OnStar për të gjitha versionet, për fat të keq jo aktiv në Shqipëri. Në rast përplasje të rëndë sistemi të vendos komunikimin me ndihmën e shpejtë ose mund të mundësojë marrjen e informacioneve për shërbime të ndryshme si restorante, hotele, etj.

Edhe pse shërbimi OnStar për fat të keq nuk është aktiv në Shqipëri, Opel Insignia Grand Sport garanton pajisje TOP nga ana e sigurisë. Të gjitha versionet janë të pajisura në seri me Opel Eye (monitoron dhe riprodhon në kruskot tabelat rrugore dhe të lajmëron në rast se korsia ndërrohet në mënyrë të pavullnetshme duke të kthyer në trajektore), dhe frenim automatik emergjencës kur sistemi dallon kalimtarë përpara makinës. Shtesë ofrohet edhe Cruise control aktiv si dhe sistemi Park&Go, i cili ofron pamjen 360° të makinës.

Pozicioni i guidës është rreth 3 cm më i ulët dhe më i shtrirë, por ergonomik dhe i rregullueshëm në mënyrë milimetrike.

Opel premton nivele të larta komoditeti, izolimi akustik dhe amortizimi, me një fjalë, gjithçka duhet për ta bërë Insignia Gran Sport një zgjedhje ideale për të udhëtuar me familjen në qetësi dhe siguri.

Motorizimet janë të ndryshme duke filluar me versionin me benzinë 1.500 kubikë i cili zhvillon 165 kuaj fuqi. Më tej, versionet me naftë fillojnë nga 1.600 kubikë me 110 ose 136 kf dhe 2.000kubikë me 170 kf. Për më sportivët, ofrohete dhe një njësi benzine 2.0 me 260 kuaj fuqi që do të pajisë versionin GSI.

Opel Insignia Gran Sport është e disponueshme në Shqipëri pranë konçesionarit zyrtar ekskluziv Opel Albania duke filluar nga 19.900 euro dhe me këtë çmim është padyshim një nga konkurrentët më seriozë në këtë segment.

Së shpejti do të ofrojmë përshtypjet tona nga prova reale në rrugët tona.