na ndiq ne

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Opel Insignia Country Tourer

12/06/2018

Opel Insignia Country Tourer është një propozim interesant që i shkel syrin klientelës që shpesh preferon ekskursionet jashtë asfaltit por që nuk do të heqë dorë nga hapësira dhe komoditeti i një modeli “executive” dhe sidomos nga kënaqësia e guidës.

Modeli Insignia Country Tourer i ndërtuar mbi bazën e Insignia Sport Tourer duket se është makina e përshtatshme për këtë përdorim. Tërheqje 4×4, e ngritur 2,5 cm më shumë se modeli “normal” dhe një motor turbodiesel që ofron fuqinë e nevojshme edhe për të tërhequr rimorkio apo roulotte, për të apasionuarit e pushimeve në liri të plotë nga çdo rezervim hoteli.

Insignia Country Tourer është gjithashtu një mjet ideal për këdo që frekuenton shpesh rrugë fshati të paasfaltuara apo rrugë malore që shpesh mbulohen nga bora apo akulli. Punë të mirë këtu bën tërheqja 4×4 që falë kontrollit elektronik shpërndan tërheqjen në secilën rrotë sipas fërkimit të ofruar nga terreni. Vetitë dinamike të Opel Insignia Country Tourer janë të përforcuara nga sistemi FlexRide, i cili nëpërmjet gradimeve elektronike ofron tre nivele: Standard, Tour dhe Sport.

Nga jashtë Opel Insignia Country Tourer dallon nga versionet Sport Tourer jo vetëm nga lartësia, por edhe përforcimet plastike në parafango dhe në pjesën e poshtme të profilit. Përpara dhe mbrapa në pjesën e poshtme, veshjet e aluminit ofrojnë jo vetëm më shumë mbrojtje por edhe një look më të kuruar. Përpara fenerët Led matrix, të cilësuar më të mirët për këtë kategori, japin një pamje teknologjike dhe ndriçim optimal në çdo situatë. 

Për sa i përket hapësirës së brendshme, Insignia Country Tourer nuk ndryshon nga Insignia Gran Sport (lexo këtu test drive-n tonë të plotë të Insignia Gran Sport) apo Insignia Sport Tourer. Shkurtimisht mund të kujtojmë se hapësira në këtë makinë është vërtet e bollshme, organizimi i kruskotit është ergonomik, me komandat në vendin e duhur dhe realizuar me materiale cilësore. Hapësira e madhe përfshin edhe bagazhin së bashku me mundësinë e palosjes së sediljeve, për të ngarkuar gjithfarëlloj bagazhezh. Kapaciteti varion nga 540 litra në ndarjen e poshtme të bagazhit, deri në 1530 litra me sediljet e palosura.

Këtu mundësohen ngarkesa me gjatësi deri në 220cm dhe prakticiteti është maksimal me hapjen pa duar të derës së bagazhit, e cila hapet me anë të një sensori që aktivizohet me lëvizjen e këmbës poshtë makinës. Një vend të veçantë për sa i përket komoditetit zënë sediljet e Opel Insignia në të gjitha versionet) të cilat janë të çertifikuara AGR (një ent gjerman që vlerëson cilësinë dhe ergonominë e sediljeve) në dobi të reduktimit të dhimbjes dhe lodhjes së shpinës.

Teknologjia në bord është e plotë dhe përfshin ndër të tjera edhe shërbimin ekskluziv “On Star” nga Opel, që në rast aksidenti njofton në mënyrë automatike ndihmën e shpejtë dhe ofron edhe shumë shërbime të tjera si rezervim hoteli, restoranti, info mbi shërbimet e ndryshme në rrugë, etj. por për fat të keq nuk është aktiv në Shqipëri.

Infotainment bazohet në monitorin qendror në kruskot me përmasa 8” me touchscreen i cili ofron ndërlidhje të plotë me platformat Apple CarPlay dhe Android Auto, përveç natyrisht ndërlidhjes me Bluetooth.

Motori është një nga pikat e forta të kësaj makine me 210 kuaj fuqi, që janë mjaftueshëm për çdo lloj përdorimi, por që jep më të mirën e tij edhe në rrugë të gjata duke përtypur kilometrat pa lodhje. Opel premton një kohë prej 8.2 sekonda për sprintin nga 0-100, kohë kjo që duket e besueshme dhe optimale për të ofruar cilësi dinamike të një makine gati 5 metra të gjatë. Kambio automatike me tetë marsha është kombinimi i duhur me ndërrime marshash të pandjeshme dhe me një kontribut të mirë edhe kundrejt konsumit. 7.1 litra/100km, sipas shifrave të deklaruara nga Opel, janë një rezultat vërtet i mirë për një makinë të vlefshme 360 gradë.