na ndiq ne

Një fundjavë me Volkswagen e-UP (falas)

06/11/2017

Makinat elektrike mbeten argumenti më i përfolur kohët e fundit. Për disa kjo mund të jetë e ardhmja e makinave. Nëse është kështu, kjo është një arsye më shumë për të provuar në terren një makinë elektrike në rrugët tona.
Modeli në fjalë është Volkswagen e-Up iu ofrua Automag nga Porsche Albania.

Si është Volkswagen e-UP?
Strategjia e prodhuesit gjerman është të ofrojë makina elektrike, të ndërtuara si çdo makinë tjetër në çdo detaj, me përjashtim të motorit, që këtu është elektrik. Në pamjen e jashtme, Volkswagen e-Up është thuajse identik me modelin me benzinë, kështu që nuk po komentojmë. Ndryshon vetëm në pak detaje jo të rëndësishme ku kryesori është sigla “e-UP” që tregon se ky është versioni elektrik.
Nga brenda mund të themi që e-Up nga brenda na surprizoi për mirë. Hapësira në bord është më e madhe nga sa pritet. Një mbajtëse komode për celularin në kruskot, një xhep i formuar në pjesën e poshtme të bllokut të komandave së bashku me një hapësirë të dedikuar për të vendosur një shishe të vogël uji janë më se të dobishme.

Veshja e tavanit, e dyerve dhe plastikat e kruskotit jane te thjeshta dhe të forta, por të asembluara me kujdes dhe nuk bëjnë zhurmë. Në pjesën ballore të kruskotit një veshje me efekt fibër karboni ngjyrë gri e hapur duket cilësore në sy dhe në prekje. Timoni, i veshur me lëkurë dhe i pasuruar me komandat e radios është vërtet cilësor. Është i njëjti që mund të ketë një Polo apo një Golf. Pak i tepruar ndoshta në pjesën e poshtme, i “prerë” në stilin e makinave sportive, por ky është thjesht një element design-i. Makina në provë ishte e pajisur me radio të thjeshtë, me altoparlantë vetëm në pjesën e përparme dhe me bluetooth, i cili ishte shumë i thjeshtë dhe intuitiv në përdorim.
Bagazhi i e-UP është i vogël, por kjo lloj makine nuk është projektuar për udhëtime të gjata të një familjeje të madhe. Arrin të mbajë ama një karrocë për fëmijë të palosur, dhe kjo e jona ishte nga modelet më të mëdha në treg.

Si ecën?
Me padurimin për ta “ndezur” Voklswagen e-Up, rrotullojmë çelësin. Nëse nuk do të ishte sinjali akustik dhe mesazhi në ekranin e vogël në kuadër, nuk do ta kuptonim që makina është gati për ecje. Duke shkelur pedalin e frenës, çojmë levën e kambios në D. Kambio e E-Up është automatikeose ndryshe, motori eletrik ka një marsh të vetëm nëpërmjet të cilit thjesht transmeton fuqi rrotave në mënyrën më fluide të mundshme.
Qetësia në bord është e tepërt. Zhurmat e vetme që ndihen janë ato të rrotave në asfalt (dhe gropave të rrugëve tona) dhe e erës nëse makina fillon të ecë mbi 60 km/h, por janë thuajse të pandjeshme. Motori me 82 kuaj fuqi është surpriza e vërtetë. I heshtur, bën një punë të mrekullueshme duke e çuar makinën nga 0-100 në vetëm 11 sekonda. Duke dashur të testojmë si duhet cilësitë e tij, vendosëm të provonim maloren që gjarpëron drejt majës së Dajtit dhe këtu motori elektrik na habit sërish: asnjë uturimë, asnjë ulje marshi e nevojshme, asnjë pengesë, por përgjigje e gatshme për çdo komandë të pedalit.

Avantreni (grupi i aksit të përparmë) rezulton solid në ecje dhe transmeton një ndjesi guide të një kategorie superiore. Përgjigja në timon nuk është gjithmonë e menjëhershme, por nga kjo makinë do të ishte vërtet e tepërt të presësh performanca sportive.
Autonomia është e kufizuar, 160 kilometrat e premtuar në kushte optimale përkthehen në rreth 130km reale, por disa gradime të kambios lejojnë rekuperim energjie në frenim dhe jeta e baterisë mund të ruhet apo të zgjatet sadopak. Në fakt, dihet që kjo makinë ka gjithsesi qytetin si vokacion kryesor, edhe në versionin me benzinë. E vërteta është që ne e përdorëm për një fundjavë të plotë dhe në kushtet tona autonomia nuk qe një problem, pavarsësisht se llogaritëm distancat që do të bënim.

 

Sa “harxhon”?
Volkswagen e-UP është makina më ekonomike që kemi ngarë ndonjëherë. Me 140 lekë kjo makinë arrin të përshkojë 100 km, vlerë rekord së cilës nuk mund t’i afrohet asnjë vegim optimist që punon me benzinë apo me naftë. Në një stacion fast charge (i ofruar falas në ambjentet e Porsche Albania për klientët e saj) bateria karikohet mbi 80% në 30 minuta dhe nëse nuk është e shkarkuar në zero, atëherë karikimi kryhet i plotë. Me linjën e shtëpisë, duhen 8-9 orë për një karikim total pra nata është e mjaftueshme për të patur çdo mëngjes autonominë e plotë në dispozicion, ndërsa nëse përdoret si makinë e dytë, me një përdorim mesatar prej 20 km në ditë, do të keni mundësi të bëni nga e hëna në të premte me vetëm 140 lekë. Jo keq, apo jo?
e-UP është përpara botës. Bukura dhe cilësia e guidës elektrike gati dekurajohet nga prapambetja e botës ku jetojmë. Vetëm dy parkime në Tiranë (dhe asnjë tjetër në të gjithë Shqipërinë) ofrojnë pika karikimi të shpejta. Përgëzimet tona për Bashkinë ngecën sapo zbuluam që në asnjë pikë nuk ofrohet kavo dhe spina për karikim. Të nderuar specialistë të projektit, cili nga ju merr zorrë me vete kur furnizon makinën?

Sa kushton?
Mbetet e shtrenjtë për tregun tonë pasi çmimi i blerjes është mbi 27.000 euro pavarësisht se kostot e mirëmbajtjes janë thuajse të papërfillshme dhe makina duhet të ruajë mirë vlerën e tregut edhe në rast rishitjeje. Në vlerësimin tone mbetet një makinë e dytë ideale, rekord në kursim dhe unike në qetësinë e saj.

Në mbyllje nuk mund të mos ju ftojmë të provoni guidën elektrike. Jua sugjerojmë seriozisht sa më parë sepse është e veçantë, e bukur dhe falas. Mjafton të klikoni në www.e-drive.al dhe çdo gjë mundësohet në vetëm pak sekonda. Mirëpresim komentet tuaja mbi këtë experience.