na ndiq ne

Nissan GT-R Nismo

08/06/2018

Reparti Nismo, ndoshta jo shumë i njohur për shumicën, për të gjithë të apsionuarit është sinonim i performancës ekstreme “Made in Japan”. Mund të mos jetë një prodhim artizanal italian apo një prodhim në traditën gjermane, por Nissan GT-R është me plot gojën një kryevepër inxhinierie e niveleve më të larta dhe në versionin rrugor me një çmim gati – gati human.

Reparti sportiv i prodhuesit japoneze ka filluar të marrë porositë e para për modelin Nissan GT-R të rinovuar, i cili është i llogaritur vetëm për dy vende, pavarësisht përmasave, për shkak të tubave të përforcimit të telajos për përdorimin në pistë. GT-R do të propozohet me një cmim rreth 60.000.000 yen pa taksa të përfshira. Kjo shifër nëse konvertohet në euro është rreth 475.000 euro ose pak mbi 60 milionë lekë të reja. Dorëzimet e para parashikohet të bëhen në janar 2019, që është edhe periudha ideale duke parë kalendarin e garave për sezonin e ardhshëm.

Sipas të dhënave zyrtare nga Nissan, mund të themi se modeli i ri ka bariqendër më të ulët dhe aerodinamikë më efiçente. Falë eksperiencës që grupi ka krijuar në kampionatet ku Nissan merr pjesë, si për shembull në kampionatin Super GT nga viti 2012 deri sot, ka arritur të zhvillojë edhe më tepër modelin GT-R (versionin normal për rrugë) duke shfrytëzuar përmirësimet që janë bërë në modelin Nismo të rrugës. Amortizatorët janë modifikuar, motori zhvendoset 150 mm drejt qendrës dhe bariqendra e ulët janë disa optimizime të rëndësishme dinamike dhe aerodinamike.

Disa ndryshime janë bërë edhe nga pikëpamja aerodinamike, si për downforce (shtypjen aerodinamike) ashtu edhe për zvogëlimin e rezistencës së ajrit dhe la transmetimi është përforcuar me qëllim që të rritet besueshmëria dhe siguria. Një tjetër ndryshim ose më mirë në risi (opsion shtesë) është vendosja e kondicionierit.

Skeda teknike tregon për një fuqi prej 550 Kf për një peshë pupël më pak se 1.300 kg (1285 saktësisht). 650 Nm të momentit përdredhës nuk janë pak. Motori që më shumë ngjason me një skulpturë, është një njësi V6 3.800 kubikë biturbo që premton performancë ekstreme.

Tërheqja eshtë vetëm në rrotat e pasme dhe jo integrale si në modelin për përdorim në rrugë, ndërsa kambio është sekuenciale me gjashtë marshe. Impianti i frenimit është i përbërë nga pinca me gjashtë pistonë përpara dhe katër mbrapa, ndërsa gomat janë 330/710 me disqe 18″ në të dy akset.