na ndiq ne

Mercedesi i ri AMG GT gati për debut me siglën 63 S 4MATIC+

08/05/2018

Nga Affalterbach (qendra e AMG-Mercedes) bëjnë të ditur se Coupé-ja me katër dyer është gati për lançim. Siç shpesh ka ndodhur edhe në të kaluarën, lançimi më i mirë është ai i një “limited Edition” që do të jenë pikërisht ekzemplarët e parë të prodhuar.

Lançimi është planifikuar për datën 28 Maj, në përputhje me garën 24Orë në Nurbungring. Porositë e pra do të jenë gati për dorëzim nga fundi i vitit.
Në këtë kontekst, kjo limited Edition nuk mund të ishte ndryshe përveçse një 63 S. Ky model do të bazohet në motorin 4.000kubikë V8 i cili zhvillon 639 kuaj fuqi. Aq sa mjaftojnë ta shtyjnë veturën e re nga 0-100km/h për 3.2 sekonda dhe shpejtësi maksimale 315 km/h.

Mercedes AMG GT vjen për të konkurruar në nivelin e makinave sportive Premium Luxury me emra të lartë si Porsche Panamera, Maserati Quattroporte, Aston Martin Rapide, etj.

Modeli është i pajisur me gjithë çfarë parashikon paketa AMG Aerodynamics Package me plot detaje të dedikuara: gojëzat e ajrit të zmadhuara, tubat e shkarkimit të pasëm të kromuar dhe me dimension XL si dhe një bisht aerodinamik në pjesën e pasme i cili rregullohet vetëm manualisht.

Nga brenda detajet e shtuara përfshijnë veshje në material “Nappa” dhe mikrofibër të qepura me tegela të dukshëm në ngjyrë të verdhë. Detaje të tjera në zonën e kruskotit janë të realizuara në fibër karboni për një pamje garash dhe sediljet janë AMG Multicontour.
Pllaka Edition1 e vendosur në timon identifikon modelin nga brenda. Lista e opsioneve është e gjatë dhe e shtrenjtë. Duket se Edition1 ka një listë të fundme porosish kështu që kujdes edhe me portofolin!
E fundit: nëse doni të vraponi për ta rezervuar, nuk ju ndalojmë dot, por çmimi nuk dihet ende.