na ndiq ne

Mercedes B Class i ri

10/12/2018

E prezantuar në autosallonin e Parisit, Mercedesi i ri B Class vjen me një frymë të re në gjeneratën e tij të tretë. Detyrë kjo relativisht e thjeshtë duke parë që B Class ende bazohej në një teknologji relativisht të vjetër për të qenë pjesë e familjes Mercedes, ku dallim këtu bënte edhe “vëllai i vogël” A Class (kliko këtu për artikullin e prezantimit), i rinovuar totalisht së fundmi.

Për modelin e ri, teknikët gjermanë kanë punuar me synimin e një makine praktike por që nuk heq dorë nga kënaqësia në guidë. Megjithëse vështirë të thuhet që një VAN familjar mund të jetë sportiv, duke dashur të ekstremizojmë, kjo do të ishte pak a shumë ideja.


Design nga jashtë tenton të uniformohet me linjat aktuale të modeleve të fundit Mercedes, kryesisht A Class, me disqet e bollshme 19” dhe maskerinon e rinovuar me përpunimin grafik dhe logon në 3D që thuajse nuk ndryshon nga sa kemi parë së fundmi. Parafangot dhe linja e tavanit kompletojnë një design që mund të quhet dinamik për këtë segment.
Fenerët Led janë oferta bazë për këtë model, por shtesë mund të gjejmë edhe Full Led dhe MultiBeam Led, njësoj siç ofrohet për A Class. Në pjesën e pasme design është më kompakt sesa mund të pritet ku rolin kryesor e luajnë fenerët e hollë dhe marmitat dopio nga të dy krahët si të një “hot” hatchback.


Edhe nga brenda B Class i ri merr qartazi çdo ngjashmëri të mundshme nga A Class. Hapësira është më e bollshme por organizimi është shumë i gjashëm me protagonist dopio ekranet Led, të bashkuar dhe në dukje si një i vetëm. Ekrani i parë shërben për të pasqyruar informacionet tradicionale të kuadrit ndërsa ekrani djathtas është qendra e infotainment, ku MBUX (Mercedes Benz User Experience) është tashmë kryefjala në çdo model Mercedes.
Ndoshta është mirë të kujtojmë këtu komandat vokale dhe mundësinë e komandave nëpërmjet aplikacionit “Mercedes Me” dhe shërbimeve “Mercedes Me Connect” me një mori funksionesh për të gjithë përdoruesit e makinës.

Distanca ndërmjet akseve e rritur me dy cm premton përmirësim të hapësirës në bord. Divani i pasëm mund të zhvendoset përpara ose mbrapa deri në 14cm. Bagazhi shkon nga 455 litra deri në 1.540 litra me sediljen e pasme të palosur ndërsa dera mund të jetë edhe elektrike. Sediljet ofrojnë (me pagesë) edhe funksionin e klimatizimit dhe të masazhit.


Motorët në momentin e lançimit do të jenë me benzinë dhe naftë. Me benzinë do të gjejmë motorët me katër cilindra 1.300 kubikë me turbo, me fuqi 1360 dhe 163 kuaj. Konsumi do të jetë respektivisht 5.4 dhe 5.6 l/100 km, sipas deklarimit nga vetë Mercedes.

Motorët me naftë, do të jenë 1.500 kubikë me fuqi 116 kuaj dhe njësia 2.0 turbodiesel me kamio automatike me tetë marsha, ndoshta më interesatja për tregun tonë, do të ketë fuqi 150 dhe 190 kuaj. Konsumet do të jenë 4.1 litra për njësinë 1.5 me naftë dhe 4.2 – 4.5 litra për 100km për dy versionet e motorit 2.0 Turbodiesel.
Të gjitha njësitë do të jenë të pajisura me kambio automatike respektivisht me shtatë marsha benzina dhe tetë marsha nafta.

Ky model do të ketë sisteme të shumta Adas të asistencës në guidë të marra nga modelet më të shtrenjta si psh. Distronic aktiv apo asistencë aktive në frenimin e emergjencës me mundësinë e ndërrimit të korsisë.