na ndiq ne

McLaren Speedtail

30/10/2018

Ngjan apo jo mbresëlënëse kjo McLaren e re fringo e quajtur Speedtail?

Me fjalë të tjera, për të gjithë ata të cilëve u mungonte (dhe që e mbajnë mend) McLaren F1, njëvendëshja e projektuar për të ecur në rrugë gati 30 vjet më parë, duket se më në fund pasardhësja është gati. Kësaj rradhe ama ka një ndryshim.

Vendet në kabinë janë rritur nga një në tre. Nqs po vrisni mendjen se si janë vendosur, mjafton të kujtoni edhe një herë F1. Shoferi këtu është gjithmonë në qendër. Kështu duhet të jetë nëse kërkohen të sfidohen ligjet e natyrës. Performanca ekstreme kërkon një balancim perfekt. Pasagjerët mbrapa mund të jenë dy, por nëse shohim se na prishin bukurinë apo ekuilibrin me peshën e tyre, mund t’i lemë në këmbë J

Ka nevojë këtu të themi që është konkurrentja e drejpërdrejtë e Bugatti Chiron?  (kliko këtu për 10 makinat më të shtrenjta dhe shpejta në botë)

Çfarë dimë për McLaren Speedtail? Dorëzimi do të fillojë në 2020. Do të prodhohen gjithësej 106 ekzemplarë. Kosto do të jetë rreth 2.4 milionë euro. Fuqia do të jetë 1.036 kuaj dhe shpejtësia maksimale 400 km/h.

Butoni Velocity? Është i vendosur mbi kokën e pilotit (sepse me këtë makinë nuk mund të quhesh shofer) dhe mundëson përshpejtime të frikshme nga 0 – 300 km/h për thuajse sa i duhet një turbodiesel-i 2.000 kubikësh të arrijë shpejtësinë 100 km/h. Ende nuk kemi informacion të plotë për llojin e motorizimit që Speedtail do të ketë, por kjo ndoshta nuk është primare, megjithëse tifozët e turbos dhe cilindrave të vendosur si veglat frymore në një pjesë simfonike presin të mësojnë me padurim edhe për këtë.

Ndërkohë, siç duket edhe në fotografi, McLaren Speedtail vjen si një kryevepër aerodinamike dhe design-i. Bishti, që është edhe pjesë integruese e emrit (nga anglishtja – tail) është një mishërim i elegancës që nuk lë vend për diskutime dhe zbukuron 5,1 metrat e kësaj makine. 60cm më e gjatë se një Chiron, kjo makinë mbart elegancë në çdo centimetër.

Për të gjithë ata që kanë një makinë të viteve të fundit, ku marmitat fallso kanë filluar të lulëzojnë edhe në modele prestigjioze, dopio marmita në pjesën e pasme të kësaj makine na rikujton se cfarë “ere” mban një makinë e vërtetë dhe se detajet e rëndësishme nuk fshihen, por evidentohen.

Pjesa ballore e kësaj McLaren-i është edhe më joshëse. Një design origjinal bashkon makinat futuriste të viteve ’80 dhe një supercar perfekte të kohës sonë. Detajet moderne gjenden në format e çdo elementi, të hollë e të ngushtë, si për të treguar se si duhet të jetë aerodinamika e një makine sfidon erën ku linjat e buta dhe të ëmbla të kujtojnë stilin tashmë retro të viteve ’80. Aq më shumë kjo makinë bëhet e veçantë në profil, ku disqet e parë do të ishin të denjë për modelin vintage të Fantomasit, një makinë që ecte shpejt jo vetëm në tokë, por edhe në det dhe madje edhe mund të fluturoje me të. Këto disqe, ose më saktë kapaqe, kanë vetinë që të mos rrotullohen ndërkohë që makina ecën, për të krijuar aerodinamikën perfekte për të cilën kjo makinë ka nevojë. Unike apo jo?

Nga brenda kjo makinë seç ka një shije të veçantë me pozicionin e shoferit ndyshe nga çdo makinë tjetër, duke dhuruar kështu një pozicionim egocentrik. Të duket më shumë sikur je në kabinën e një avioni ku butonat gjenden edhe mbi kokën e pilotit.

Një koinçidencë është edhe emri, ose më saktë mbiemri i designerit. Herman Melville ka shkruajtur romanin Moby Dick, në të cilin ka krijuar një qenie të veçantë si balena e bardhë ndërsa Rob Melville është designer-i i Speedtail, një qenie e veçantë edhe kjo  në llojin e saj. Duke e parë me kujdes këtë makinë, mund të mendosh se gjëja më e përafërt me të mund të jetë një kometë, që siç dihet ka për karakteristikë të kenë peshën përpara dhe bishtin mbrapa.

Nuk është më një risi absolute, por kjo makinë nuk ka pasqyra. Në vend të tyre, dy kamera që dalin nga sipërfaqja e profilit bëjnë punën e tyre.

Realisht, disa të dhëna mungojnë ende: motorizimi i kësaj makine është i kombinuar midis benzinës dhe elektrikes, saktë? Ok, nëse po, si dhe sa është fuqia dhe raporti i secilit motor? A do të ecë dot vetëm në mënyrë elektrike? Nëse po, sa km do të mund të përshkojë dhe sa është shpejtësia me këtë motor?

Pesha e plotë e Speedtail është 1.430 kg. Mund edhe të kishte qenë më e lehtë, por dihet që pesha e baterive të sotme është e konsiderueshme.

Nga ana tjetër po vrasim pak mendjen për ndonjë sekret të kësaj makine sepse disa info ende lënë vend për dyshime.

Performanca  është deklaruar në 12.8 sekonda për të shkuar nga 0 – 300 km/h. Një Bugatti Chiron për këtë i duhen 0.3 sekonda më shumë, por Chiron ka 443 kuaj fuqi më shumë. Një Koenigsegg Agera RS ndërkohë ka 1.341 kuaj fuqi, 305 më shumë se Speedtail (kliko këtu për artikullin e makinës më të shpejtë në botë). Është edhe e vërtetë që më shumë se fuqia në vetvete, ka rëndësi edhe koefiçenti kuaj fuqi/kg dhe këtu McLaren Speedtail ka shifrat nga ana e saj me koefiçentë të ngjashëm me modelet e përmendur, kështu që me këto të dhëna, nuk japim dot një gjykim final, por do të presim të marrim vesh më shumë nga prodhuesi anglez.

Kliko këtu për: Koenigsegg Agera Rs – Makina më e shpejtë në botë

 

Kliko këtu për: Hennessey Venom F5