na ndiq ne

McLaren GT

17/05/2019

Modeli i ri i prodhuesit anglez quhet McLaren GT dhe shpalos si gjithmonë një arsenal sportiv të niveleve më të larta. Motori ka vëllim të “përmbajtur” për të qenë një supersportive, vetëm 4.000 kubikë, por kjo nuk e pengon të zhvillojë fuqinë monstruoze 620 kuaj dhe një moment rrotullues 630 Nm në regjimin 3.000 xhiro/min. Pesha 1.530 kg nuk e pengon McLaren GT të djegë gomat në asfalt me përshpejtime 0-100km/h për vetëm 3.2 sekonda dhe nga 0 – 200km/h për 9 sekonda. Shpejtësia maksimale arrin në 326 km/h. Kambio është automatike e robotizuar me shtatë marsha dhe dopio freksion.

Deri këtu duket çdo gjë normale për një McLaren, por nëse shikojmë trajtimin e brendshëm të kësaj makine kuptojmë që projektuesit kanë bërë një punë të shkëlqyer. Design është i kuruar dhe duket sikur jemi gati gati në brendësinë e një makine Coupé luksoze. Në pamje të parë nuk mund ta mohojmë që atër gojëzat e ajrit të sjellin menjëherë ndërmend Jaguar-in XJ, por ky nuk është patjetër në e metë.

Diçka tjetër që bie në sy këtu është hapësira që është rritur vërtet, aq sa brenda, sipas premtimit, mund të ngarkohen edhe një palë ski. Bagazhi ka vëllim 420 litra, pak më pak se të një sedani të segmentit D, një Audi A4, që të kuptohemi, por kjo nuk është fort e përhapur në makina të këtij niveli, që nuk lindin për t’u ngarkuar me valixhe. 150 litra të tjera vëllim gjenden në hapësirën e përparme, që ndihmon për disa bagazhe të vogla.

McLaren GT është e gjatë 468 cm, sërish sa një segment D, por me gjerësi prej makine sportive, që garanton ekuilibër perfekt në kthesa dhe në shpejtësi të mëdha.

McLaren Gt është gati për shitje me kushtin e vogël që të përgatiten së paku 200.000euro. Kuptohet që prodhuesi anglez ofron një gamë të gjerë personalizimesh, deri tek sediljet prej kashmiri, që natyrisht paguhen ekstra. Na duket normale, për sa kohë klienti tipik i kësaj makine nuk pyet kurrë sa harxhon kjo makinë dhe as planifikon një impiant gazi për të kursyer 😊