na ndiq ne

Mazda CX-5 2.2L

29/12/2017

 

Mazda CX5, një model i suksesshëm i prodhuesit japonez në segmentin SUV mesatar, vjen me një trajtim estetik (facelift) të rëndësishëm dhe në linjë me ndryshimet e propozuara më parë me Mazda 6.

Në këtë segment ku konkurrenca nuk mungon, madje është e shumtë dhe cilësore. Peugeot 5008, Opel Grandland X, Hyundai Tucson, Kia Sportage, Nissan Qashqai, Toyota Rav4, e shumë të tjera.

Kështu Mazda propozon CX5 në një version të rinovuar, të pasur dhe me realizime interesante.

Në tërësi vlen të përmendet që ky version është thuajse rikonceptuar duke konsideruar që kofano e motorit është rreth 10 cm më e gjatë dhe kjo sjell pasoja (pozitive) në optimizimin e hapësirave dhe të pamjes së makinës.

Pjesa ballore rinovohet në maskerino, fenerë dhe në parakolp. Maskerino e re është më e madhe, është punuar me motive si “hoje bletësh”dhe në ngjyrën e zezë mat  i jep një look më modern. Fenerët janë më të ngushtë dhe integrojnë në pjesën e poshtme bordin e kromuar të mascherinos dhe ristilizohet në pjesën e poshtme të parakolpit duke realizuar kështu një design të ri shumë harmonik edhe me stilin e ri Kodo që Mazda ka inauguruar në 2017.

Në profil pamja ruhet e ngjashme me modelin paraardhës, por ka një look më të freskët dhe bordi i kromuar i dritareve i shton shumë pamjes në tërësi. Fenerët e pasëm janë më modernë me linja të reja në brendësi duke përdorur edhe këtu efekte Led.

Atje ku dallimi është ende më i dukshëm është nga brenda ku linjat e reja janë më të bukura estetikisht. Materialet e reja janë më cilësore se në modelin pararadhës dhe elementi i ri i detajeve të kromuara, së bashku me design-in e ri të kruskotit  i japin padyshim një pamje vërtet më moderne dhe harmonike. Sediljet e lëkurës patjetër që shtojnë pikë të tjera në këtë drejtim.

Monitori qendror që mbulon funksionet e navigatorit dhe infotainment është zhvendosur lart në pjesën qendrore të kruskotit, duke thjeshtuar kështu pamjen e tij pa hequr vëmendjen nga rruga.

Dyert e pasagjerëve dhe ajo e bagazhit kanë një dopio guarnicion gome për të patur një izolim perfekt nga çdo grimcë pluhuri apo gjoli në raste përdorimi sportiv “off road” në çdo aventurë të mundshme.

Për sa i përket motorëve për momentin janë të konfirmuar versionet 2.0 dhe 2.5 Skyactiv me benzinë dhe versioni 2.2 Skyactiv-D me naftë, i cili besojmë do të mbetet versioni i parapëlqyer për vendin tonë. Ky motor zhvillon 175kf dhe ofron një gatishmëri të lartë në çdo komandë të pedalit të gazit falë dy turbinave që veprojnë në regjime të ulëta dhe të larta, sipas nevojës.

Performanca e mirë konfirmohet nga një kohë përshpejtimi nga 0-100 prej 8.7 sekondash, që nuk e bëjnë CX5 një makinë sportive, por duke patur parasysh tërheqjen integrale dhe faktin që po ngasim një SUV, nuk është aspak kohë e keqe.

Kambio është automatike me gjashtë marsha, ku të themi të drejtën, mendojmë mund të kishte të paktën një marsh më shumë.

Konsumi i deklaruar nga Mazda për këtë motor, në variantin 4×4 është 5.4 litra/100km.

Çmimet në Europë ndryshojnë në varësi të sistemit të taksave por si referencë të përgjithshme mund të konsiderojmë rreth 25.000euro për versionin bazë me motorin 2.0 me benzinë.