na ndiq ne

Mazda 2 rinovohet dhe i thotë lamtumirë naftës

19/07/2018

Mazda 2, modeli më i vogël i prodhuesit japonez, këtë korrik vjen për tregun europian e rinovuar. Kjo makinë është një makinë qyteti ose e klasifikueshme në segmentin B, ku një ide më të qartë se për çfarë po flasim na e japin konkurrentët si Ford Fiesta, Renault Clio apo Volkswagen Polo. Mazda 2 ka një shasi tradicionale për këtë segment, me pesë dyer dhe e gjatë 406 cm.

Modeli Mazda 2 i 2018-s nuk ndryshon shumë nga jashtë. Ruan maskerinon në formë diamanti me logon Mazda në qendër dhe linjat e valëzuara në pjesën anësore. Pjesa që më shumë rinovohet është ajo çfarë gjendet “poshtë kapakut”. Motorët “rifreskohen” dhe respektojnë normativat anti ndotje më rigoroze, Euro 6d-Temp, që do të hyjë në fuqi në shtator 2019.


Nuk do të ketë më asnjë motor diesel, paçka se shumë i dashur për klientelën shqiptare. Ai do të zëvendësohet nga motori me benzinë me katër cilindra 1.5 Skyactive-G, në versionet me 75, 90 ose 105 kf. Në versionet bazë, të gjitha modelet do të kenë kambio manuale me 5 ose 6 marsha, ndërsa opsionale (me pagesë) mund të porositet kambio automatike me 6 marshe.

Ky vendim i Mazdës nuk është një rast i izoluar, por është një linjën e lëvizjeve të kohës, sidomod për modelet e vogla, të përshtatshme për qytet. Për shembull Toyota ka delkaruar që nuk do të prodhojë më asnjë model me motorë nafte, ndërsa Skoda ka vendosur të ndalojë shitjen me motor naftë 1.4 TDI të modelit të ri Fabia. Në Evropë shitja e makinave me naftë ka rënë me 17% përgjatë 2018 në krahasim me vitin e kaluar ndërkohë që shitjet e modeleve me benzinë janë rritur me 15%.

Ndërkohë, për t’u kthyer tek modeli i artikullit tonë, Mazda 2 ka pësuar disa përmirësime edhe në pajisjet bazë, që tani ofrojnë një makinë më të pasur në versionin Exceed me paketat Comfort dhe Leather. Në këtë model janë të përfshira kamera e pasme e parkimit dhe sistemi i hyrjes në makinë pa celës. Mbeten të vlefshme sistemet e versionit paraardhës që përfshinte fenerët e parë më led, klimatizatorin automatik, frenim automatik në rast emergjence, rrotat 16” dhe ndezja automatike e fenerëve dhe fshirëseve të xhamit.


Në versionin Comfort Pack janë të përfshirë edhe xhamat e zinj, rrotat 15” dhe sensorët e distancës. Në versionin Leather Pack janë të përfshira rrotat 16” dhe veshjet e lekurës në ngjyrë të zezë ose të bardhë.