na ndiq ne

Makina elektrike

03/09/2017

Makina elektrike duket sikur befas po pushton portalet botërore dhe shumë mund të mendojnë se kjo është një shpikje moderne e kohëve të fundit. Në fakt, siç e kemi përmendur edhe në artikullin mbi “historinë e automobilit”, makina e parë elektrike është mjaft e vjetër, pothuajse aq e vjetër sa edhe ajo me motor me djegie të brendshme. Prototipi i parë i makinës elektrike është propozuar nga britaniku Thomas Parker, në 1884. Pak më vonë vjen edhe modeli nga Flocken Elektrowagen, në 1888. Në fund të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX, makinat elektrike ishin mjaft të preferuara dhe për një periudhë kohe u shitën më shumë se makinat me motor endotermik, por ato kishin probleme serioze lidhur me shpejtësinë maksimale (vetem 30 km/h), autonominë e kufizuar dhe mungesën e një treguesi se edhe për sa kohë mund të ecte makina.

Nga ana tjetër, besueshmëria dhe performancat e ofruara nga motorët me benzinë apo me naftë çuan në braktisjen e këtij lloj motori në mobilitetin masiv.

Po si punon makina elektrike? Shumë thjesht, bazohet në punën e një motori elektrik i cili përdor si burim energjie bateritë e karikueshme të cilat konvertojnë energjinë kimike në elektrike dhe kjo më tej shndërrohet në energji kinetike nëpërmjet motorit.

Paçka se mund të ngjajë paradoksale, makinat elektrike karakterizohen nga një efiçencë shumë e lartë energjike krahasuar me motorët endotermikë dhe me një motor të pastër për ambientin. Nga ana tjetër ato nuk janë ende perfekte pasi kanë autonomi të kufizuar dhe kohë karikimi të baterive mjaft të gjatë. Vëmendja e madhe ndaj këtyre automjeteve me ndotje 0 dhe progresi teknologjik ka bërë që këto probleme të vijnë drejt minimizimit, dhe jemi të bindur shumë shpejt do të kenë zgjidhje të plotë.

Fakt është që sot, disa shtëpi prodhuese që kanë ecur në prodhimin e baterive cilësore me litium, garantojnë autonomi midis 200 dhe 400 km me një rimbushje duke arritur madje edhe maja deri në 600 km autonomi.

Shpesh kjo autonomi nuk është statike, por mund të rritet edhe më shumë nëpërmjet sistemit Kers (Kinetic Energy Recovery System) i përdorur për herë të parë në Formula 1 në vitin 2009. Sistemi Kers mundëson konvertimin e energjisë kinetike të akumuluar gjatë fazës së frenimit në energji elektrike duke rimbushur kështu baterinë gjatë ecjes deri në 15% të saj, që do të thotë të mundësojë edhe deri në 50 km të tjerë.

Nga ana teknologjike, bateritë që kanë dhënë më shumë sukses kanë qenë ato të bazuara në litium me përzierje metalesh të tjera dhe shpikje të reja janë ende në zhvillim për të garantuar një cilësi të lartë të atyre që padyshim do të zënë një vend të rëndësishëm në panoramën automobilistike botërore.