na ndiq ne

Lincoln Continental

17/12/2018

 Lincoln është një ndër prodhuesit më prestigjiozë përtej oqeanit. Në Shqipëri e kemi njohur me disa modele Suv gjigandë si psh Navigator dhe së fundmi ne kemi prezantuar pasardhësin e tij, Aviator (kliko këtu për artikullin).

Modeli i ri për të cilin Lincoln ka njoftuar shtypin zyrtar të sektorit automotive kudo në botë është sedani luksoz Continental, që në fak ngjan shumë më shumë me një limousinë.

Continental vjen tani me një model special me rastin e 80-vjetorit të modelit të quajtur pikërisht “80th Anniversary Coach Door Edition”. Modeli ka bërë debutin e tij në vitin 1939, por këto dyer nuk përdoren më që prej vitit 1969. Progresi teknologjik çon në një detaj të veçantë: hapja e dyerve sipas modelit perandorak (që ngjan më mirë sesa të themi “në formë dollapi” 😊 ) është tani elektrike. Kjo seri do të prodhohet në një seri të limituar, 80 njësi për vitin 2019 dhe ndoshta një sasi tjetër gjatë 2020, ende e pakonfirmuar.

Modeli special është 15 cm më i gjatë për më shumë hapësirë në bord, veçanërisht në zonën e pasme. Lincoln Continental lind me objektivin që të ofrojë një limousine luksoze por me një stil të veçantë që ta dallojë nga modelet e tjera aktuale.

Dera e pasme hapet deri në 90° për të mundësuar hipjen dhe zbritjen në mënyrën më komode të mundshme.

Një Xhevahir i tillë nuk mund të mos ketë një nivel pajsjesh në nivelet më të larta, duke filluar ndoshta nga motori. Njësia V6 3.000 kubikë, natyrisht vetëm me benzinë, fuqizohet nga dy turbina dhe zhvillon 400 kuaj fuqi.

Këtu gjejmëopsione si “Head-up display”, “Active Noise Control”, impiant audio nga firma Revel me të cilën Lincoln ka kohë që bashkëpunon dhe sediljet përpara ofrojnë deri në 30 gradime elektrike.

Në zonën e pasme vendet janë vetëm dy, por me një luks dhe teknologji të një avioni ultra modern, natyrisht në klasin e parë. Ndarësja në mes ofron dy tavolina që palosen kur nuk nevojiten, përvec mundësisë së karikimit wireless.

Ende nuk dihet çmimi i këtij modeli unik dhe për fat të keq, asnjë shitje nuk është parashikuar për kontinentin e vjetër.